AKTUALITET, 30 Gusht 2022, 08:57

Vrasje e dyfishtë në Lezhë, ish-dhëndrri dyshohet se ekzekutoi babë e bir

Vrasje e dyfishtë në Lezhë, ish-dhëndrri dyshohet se

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Lezhë, ku Besnik Pjetri dyshohet se vrau Pjerin dhe Gent Përjakun, babë e bir.

Pjetri, ish-dhëndri i familjes shkoi në banesën e Pjerin Përjakut dhe dyshohet se qëlloi me armë atë dhe djalin e tij, duke i lënë të vdekur.

Ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi pas konflikteve familjare, ndërsa autori i dyshuar ishte divorcuar me bashkëshorten para 6 vitesh.

Ndërkohë, dy viktimat ishin kthyer ditën e djeshme nga Italia.

Autori është ende në arrati, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e tij.

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Rreth orës 23:00, në fshatin Grykë Zezë në Lezhë, ka ndodhur një krim në familje, ku dyshohet që shtetasi B.P., ka vrarë me armë zjarri shtetasit P.P. dhe G.P. ( babë e bir), tek banesa e tyre, për shkak të një konflikti familjar.

Autori i dyshuar ka qenë pjesë e asaj familje, ish dhëndër i tyre dhe konflikti dyshohet se ka ardhur pas divorcit mes çiftit.

Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit B.P.

Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon punën hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.