AKTUALITET, 24 Gusht 2022, 12:50

Konsullja ukrainase mbërrin në Gjykatën e Elbasanit, del në mbrojtje të 25-vjeçarit: Nuk ka lidhje me spiunazhin

Konsullja ukrainase mbërrin në Gjykatën e Elbasanit, del në

Ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së shkallës së parë Elbasan, konsullja e Ukrainës Svjetllana Bogndanova, e cila ka dalë në mbrojtje të 25-vjeçarit ukrainas, Fjodor Mihajlo i cili ka dalë sot para gjykatës bashkë me dy shtetasit rusë, Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin, që tentuan të hynin në Uzinën e Armëve në Gramsh mbrëmjen e së shtunës, 20 gusht.

Tre të huajt dyshohen për spiunazh, ndërsa konsullja e Ukrainës ka thënë për mediet shqiptare se 25-vjeçari është fotograf dhe se nuk ka asnjë lidhje me spiunazhin.

Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Mihajlov u arrestuan pasditen e së shtunës. Ata u pikasën pranë ambienteve të uzinës ushtarake në orën 17.30. Njëri nga të huajt u përlesh me ushtarët, të cilët ruajnë objektin, duke lënduar dy prej tyre.

Prokuroria ka kërkuar ndaj tyre masën “arrest me burg”. Gjyqtarja Pajtime Fetahu tha se Prokuroria ka ngritur ndaj tyre akuzat: “dhënia e informatave sekrete”, “sigurimi i informatave”, “goditje për shkak të detyrës”, “stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme”.

Sakaq, në dosjen e prokurorisë  organi i akuzës thekson se ka prova të arsyeshme se dy rusët dhe ukrainasit janë të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës dhe se ka ardhur me mision në vendin tonë.

“Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri me mision të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara”, thuhet në dosje.