AKTUALITET, 13 Dhjetor 2021, 19:11

Komisioni i Rithemelimit të PD i përgjigjet Bashës: Deputeti ripërtypi shpifjet e mediave të Ramës

Komisioni i Rithemelimit të PD i përgjigjet Bashës: Deputeti

Komisioni i Rithemelimit të PD i është përgjigjur akuzave të Lulzim Bashës, të shkarkuar si kryetar i PD-së, lidhur me koston e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit. 

Përmes një deklarate për mediat, Komisioni i Rithemelimit thekson se Basha citoi shpifjet e mediave të Edi Ramës. 

Rithemeluesit theksojnë se do të bëjnë transparente ditët në vijim të gjitha kostot e organizimit të Kuvendit të jashtëzakonshëm demokrat.  

Gjithashtu Komisioni i Rithemelimit të PD akuzon deputetin Basha se me kompanitë e të afërmeve të tij kanë rrjepur financat e PD gjatë tetë viteve. 

Deklarata

Deputeti Basha ripërtypi sot publikisht shpifjet e mediave të Edi Rames për organizimin dhe kostot e Kuvendit te Partisë Demokratike. 

Kostot modeste të këtij organizimi do të bëhen transparente për mediat ditët në vijim. 

Po ashtu kukulla e Ramës shpifi publikisht se për këtë event është kontraktuar bashkëshorti i një deputeteje të Partisë Socialiste. 

Hedhim poshtë me neveri këtë shpifje dhe sqarojmë opinionin se kjo është totalisht e pavërtetë! 

E mirëkuptojmë zemërimin e z.Basha përse nuk e organizuam Kuvendin me kompaninë e të afërmve të tij por rrjepja që ata i kanë bërë financave të PD këto 8 vjet e ka bërë këtë kompani të papërballueshme për mundësitë tona!