AKTUALITET, 20 Gusht 2025, 16:34

Kërcënonte dhe zhvaste ish-pronarin prej dy vitesh duke i kërkuar shuma të mëdha parash, arrestohet 30-vjeçari shqiptar

Kërcënonte dhe zhvaste ish-pronarin prej dy vitesh duke i kërkuar

Një shtetas shqiptar 30-vjeçar, ka vënë në pranga nga policia italiane, i akuzuar për shantazh dhe zhvatje të ish-pronarit të tij.

Rasti u zbulua pas denoncimit të bërë nga një sipërmarrës bujqësor i zonës, ish-punëdhënës i të dyshuarit, i cili prej më shumë se dy vitesh raportonte se ishte bërë viktimë e kërkesave të përsëritura për para.

Sipas dëshmisë së tij, shumat e kërkuara nga i riu varionin nga 2.500 deri në 4.000 euro, çdo 30-40 ditë, të shoqëruara me kërcënime të qarta për dhunë fizike ose dëmtim të mjeteve bujqësore të kompanisë.

Pas hetimeve, autoritetet organizuan një operacion të posaçëm për dorëzimin e kontrolluar të shumës së fundit të kërkuar, që arrinte në 1.400 euro.

Takimi u zhvillua në një zonë parkimi pranë një lokali të njohur në provincë, në prani të efektivëve të Njësisë Mobile dhe Policisë Shkencore, të cilët dokumentuan të gjitha fazat e ngjarjes.

I dyshuari u ndalua menjëherë pasi mori paratë dhe u arrestua në flagrancë. Pas procedurave përkatëse, ai u dërgua në burgun e Ragusës, ku do të qëndrojë në dispozicion të Prokurorisë pranë Gjykatës së Ragusës.