AKTUALITET, 20 Gusht 2025, 12:47

'11 maji'/ Bardhi publikon pamje të tjera: Komisionerët e PS dhunuan fshehtësinë e votës në Fier, akti më i shëmtuar që i kthen votimet në farsë

'11 maji'/ Bardhi publikon pamje të tjera: Komisionerët e PS

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar pamje të reja nga kamerat e qendrave të votimit në Divjakë, qarku Fier, ku sipas tij komisionerë të Partisë Socialiste shihen duke kontrolluar votat e qytetarëve.

Bardhi akuzon se bëhet fjalë për një akt të paprecedentë në historinë e zgjedhjeve në vend, duke e cilësuar si “dhunim brutal të fshehtësisë së votës” dhe “kontroll masiv të votës me urdhër kriminal të Belinda Ballukut”.

“Ky është akti më i shëmtuar që kthen zgjedhjet në farsë. Terroristët elektoralë të Ballukut nuk mjaftohen me blerjen e votës, por shkojnë deri te kontrolli i saj në kuti”, u shpreh Bardhi.

Postimi i plotë i Bardhit:

Episodi 6/ VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE

Kurrë në historinë e zgjedhjeve nuk ka ndodhur kontrolli masiv i votës dhe dhunimi brutal i fshehtësisë së saj, siç ka ndodhur me urdhër kriminal të Belinda Ballukut në zgjedhjet e 11 Majit në qarkun Fier. Nuk iu mjafton vetëm qëndrimi mbi kokë ndërkohë që qytetarët votojnë në dhomën e fshehtë, por kontrollojnë fletët e votimit edhe pasi ato janë hedhur në kutinë e votimit.

Pamjet më poshtë i përkasin QV 2846, njësia administrative Tërbuf, Bashkia Divjakë, ku dallohet qartësisht komisioneri i PS që nxjerr fletën e votimit nga kutia, verifikon se si ka votuar qytetari dhe më pas e rihedh në kuti.

Dhunimi i fshehtësisë së votës përveçse një vepër penale që vijon të mbetet e pandëshkuar, është edhe akti më i shëmtuar që i kthen votimet në farsë, duke paracaktuar rezultatin e zgjedhjeve, përmes kontrollit masiv të votës me patronazhistë të shndërruar në terroristë elektoral.