TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Belind Këlliçi zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, se Partia Demokratike do të kërkojë hapjen e disa kutive në qarkun e Tiranës dhe rinumërim të votave të pavlefshme.
Ai tha se beson që nga votat e pavlefshme, PD mund të sigurojë mandatin e 14-të në Tiranë, që rrjedhimisht do t’i mundësonte mjekut të njohur, Ilir Alimehmeti që të hynte në Kuvendin e ri.
“Unë jam nga ata njerëz që kam qenë shumë vokal për këtë çështje. Duke qenë se kam qenë në fazën e numërimit për plot 6 net dhe 7 ditë në Tiranë, derisa u mbyll dhe vota e Diasporës. Sigurisht nuk më ka ardhur aspak mirë dhe e kam përjetuar edhe vetë humbjen e mandatit të 14-të të PD për një grusht votash. Pas një analize të plotë të rezultatit zgjedhor në Tiranë ne konstatojmë se janë 17.233 vota të pavlefshme në qarkun e Tiranës ku ne kemi dyshimet tona të arsyeshme se brenda atyre votave mund të jenë votat e mjaftueshme që zoti Alimehmeti të shkojë në Parlament.
Sigurisht që një kandidat që ka marrë 18 mijë vota meriton pa diskutim të jetë pjesë e Parlamentit. Do të ndjekim edhe denoncimet tona të tjera, sepse kam denoncuar nga shkolla “Sami Frashëri” ku janë numëruar votat e Njësisë 9 ku kam denoncuar live fenomenin e trenit bullgar dhe numërimin e votave me ngjyrë të ndryshme nga fleta standarde e votimit. Kemi kërkuar ekspertizë për të gjitha këto fletë votimi. Do të kërkojmë hapjen e kutive në ato qendra që i kemi ankimuar që në KZAZ dhe i kemi ankimuar në KQZ për të parë këto vota dhe do të bëjmë gjithçka që zoti Alimehmeti të shkojë në Kuvend sepse e meriton të jetë në Kuvend”, tha Këlliçi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
I pyetur nëse i kanë dhënë aleatëve më shumë mandate të sigurta sesa votat që kanë pasur në kuti, Këlliçi tha se për këtë do të realizohet një analizë e brendshme në selinë blu. Ai u shpreh se personalisht do të kishte preferuar më shumë kandidatë që përfaqësonin siglën e PD në lista për zgjedhjet e 11 majit.
“Unë personalisht kam kërkuar që kandidatët e PD të kishin numrin maksimal të përfaqësimit. Përherë kam qenë më shumë pro kandidatëve të siglës së PD, por edhe kjo është një çështje që i takon forumeve të PD për të bërë analizën, a kanë vepruar mirë apo keq. Ka pasur forca aleate që kanë performuar shumë mirë elektoralisht dhe ka pasur forca të tjera politike që nuk kanë performuar nën nivelin e pritshmërive, zoti Duka, PAA ka marrë rreth 22 mijë e 400 vota me kandidatët e tyre në total dhe kanë marrë vetëm një mandat përfaqësimi në qarkun e Durrësit. Dhënia e nja mandati justifikon plotësisht votat që ata kanë marrë”, u shpreh Këlliçi