AKTUALITET, 25 Maj 2025, 19:39

Tentoi të vriste me sëpatë një person, kapet duke hipur në autobus për Greqi 40-vjeçari 

Tentoi të vriste me sëpatë një person, kapet duke hipur

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Shtyllas të Fierit, ku një 40-vjeçar ka tentuar të vrasë me sëpatë një shtetas, në bashkëpunim me të atin. Autori i dyshuar, Ndue Paluca, u kap nga policia në përpjekje për t’u larguar drejt Greqisë me autobusin e linjës Konispol–Sarandë.

Falë një operacioni të koordinuar mes Policisë së Fierit dhe Sarandës, Paluca u arrestua në momentin që po përgatitej të hipte në autobus. Ai akuzohet për “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë.

Sipas burimeve zyrtare, Paluca ishte shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes dhe u ndoq nga forcat operacionale për disa orë derisa u lokalizua dhe u ndalua.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme ligjore.