TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Njësia Lëvizëse e Dhurimit të Gjakut do të ndalet këtë javë në Durrës, në kuadër të fushatës kombëtare për sensibilizimin dhe shtimin e dhurimeve vullnetare të gjakut.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, bëri të ditur se kjo njësi do të vendoset pranë Bashkisë së Durrësit dhe në disa institucione të tjera vendore, të cilat i janë bashkuar me zemër kësaj nisme. Koçiu u bëri apel qytetarëve që të marrin pjesë aktivisht në dhurimin e gjakut, duke theksuar se një dhurim i vogël mund të shpëtojë një jetë dhe se çdo kontribut i tillë është një akt solidariteti dhe humanizmi. Ajo tha se “le të bëhemi drita e shpresës për ata që kanë më shumë nevojë”.
Kjo fushatë ka për qëllim të sigurojë rezerva të mjaftueshme gjaku për pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, trajtime të rregullta për sëmundje të rënda si talasemia, leuçemia apo hemofilia, si dhe për raste urgjente që vijnë nga aksidente të rënda apo komplikacione shëndetësore.
Njësia do të qëndrojë në pika të ndryshme publike gjatë javës, dhe qytetarët mund të dhurojnë në kushte të sigurta, nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe stafit të specializuar të shërbimit të transfuzionit. Autoritetet shëndetësore kanë theksuar se dhurimi i gjakut është i shpejtë, i sigurt dhe se organizmi e rigjeneron sasinë e dhuruar shumë shpejt, pa pasoja për shëndetin.
Fushata mbështetet edhe nga Bashkia Durrës, institucionet arsimore dhe aktorë të shoqërisë civile, duke e kthyer këtë nismë në një përpjekje gjithëpërfshirëse për të përballuar mungesat sezonale të gjakut në spitalet tona. Ministria e Shëndetësisë apelon për një pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve, duke kujtuar se një gjest i thjeshtë human mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes për një pacient në nevojë.