AKTUALITET, 29 Janar 2022, 13:02

Kandidimi i të pavarurve në zgjedhjet e 6 Marsit, Komisioni Rregullator thirrje të caktojnë financier në KQZ për financimin e fushatës

Kandidimi i të pavarurve në zgjedhjet e 6 Marsit, Komisioni

Gjatë mbledhjes së Komisionit Rregullator të KQZ-së, u miratua projektvendimi për përcaktimin e rregullave të raportimit financiar të partive politike/subjekteve zgjedhore, si dhe kontrollit e verifikimit të financimeve dhe shpenzimeve të tyre gjatë fushatës zgjedhore.

Komisioni Rregullator, miratoi gjithashtu dhe projektvendimin për caktimin e një financieri në KQZ, nga subjektet politike ose kandidatët e pavarur.

Në fjalën e saj kryetarja e Komisionit Rregullator, Ilirjana Nano, kërkoi që të njoftohen dhe të gjithë kandidatët e pavarur në zgjedhje, të caktojnë një financier në KQZ, në lidhje me shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore.

Anëtari i Komisionit Rregullator, Muharrem Çakaj: Unë kisha një pyetje për drejtoreshën e ODHIR duke marrë në konsideratë dhe fatin se në zgjedhjet e përgjithshme të datës 25 Prill kanë marrë pjesë dhe kandidatët të pavarur, a kanë caktuar një financier kandidatët e pavarur.A kanë vendosur një financiar kandidatët e pavarur për të raportuar financat e tyre në respektim të aktit të vendosur në Komisionin Rregullator.

Drejtoresha e ODHIR: Nga eksperienca e zgjedhjeve për Kuvendin, duke qenë se koha ka qenë e pamjaftueshme që kandidatët të njiheshin me rregullat e vendosura nga komisioni rregullator, kandidatët nuk kanë caktuar një financier në KQZ. Raportin e kanë sjellë vetë por, jo përmes një financieri

Kryetarja, Ilirjana Nano: Pas miratimit të këtij akti, do të sugjeroja njoftimin dhe ndërmarrjen e një fushatë ndërgjegjësuese për kandidatët e zgjedhur nga zgjedhësit për financierin dhe për raportimin e financimit të subjekteve.