TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndonëse kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Himarës është në burg, Fredi Beleri ka arritur që të fitojë zgjedhjet. Mes shumë reagimeve për fitoren e tij, kanë folur dhe prindërit e tij. Për mediat greke ata thanë se janë shumë krenarë për djalin e tyre.
“Jemi shumë krenarë për djalin tonë”, deklarojnë ata për newsit.gr, pas fitores së Belerit. “Fredi Beleri mposhti me vetëm 19 vota kundërshtarin e tij, Giorgi Goro, i cili ishte “i zgjedhuri” i kryeministrit shqiptar Edi Rama”, - shkruan ndër të tjera media greke. Ndërkohë, për televizionin grek Alpha nëna e Belerit falënderoi mes ironisë Ramën që e dha kaq shumë djalin e saj.
“Ky është gëzimi më i madh i jetës sime. Falenderoj edhe zotin Rama që i dha kaq shumë vlerë djalit tim dhe fitorja e Fredit është shpërblimi i tij për luftën që ka bërë që në moshën 19-vjeçare e deri më sot. Fredi është në burg, por Zoti ia dha gëzimin sot. Është dhurata më e mirë e jetës sime,”- vuri në dukje nëna e kryebashkiakut të ri duke folur për Alpha, ndërsa babai i tij është shprehur njëkohësisht “shumë i lumtur dhe i emocionuar”.
Ndërkohë, gruaja e Fredi Bellerit u ankua se nuk e lejuan ta shihte bashkëshortin. "Organet kompetente as sot nuk më lanë ta shoh. I mora rrobat, se kishte kaluar shumë ditë pa ndërruar dhe pa ushqim. Nuk më lejuan ta takoj sepse ka nevojë për një vendim nga prokurori. Fatmirësisht na lanë ti çojmë rrobat,", -shtoi ajo.
Rikujtojmë se pas fitores së tij, banorët e Himarës shpërthyen në festë. Ata nisën të këndonin në gjuhën greke dhe kërcyen në bulevardin e Himarës.
