AKTUALITET, 15 Maj 2023, 14:59

Fituan vetëm 6 bashki/ “Narkozgjedhjet e narkoshtetit!”, Meta nuk pranon rezultatin: U asgjësuan që pa filluar

Fituan vetëm 6 bashki/ “Narkozgjedhjet e narkoshtetit!”, Meta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me rezultatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ nga zgjedhjet lokale të 14 majit, ku arritën që të merrnin vetëm 6 bashki.

Në një reagim në ‘Facebook’ Meta duket se nuk ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa shton se bëhet fjalë për ‘Narkozgjedhjet e narkoshtetit’. Meta tha se këto zgjedhje u asgjësuan që pa filluar.

REAGIMI I METËS

Narkozgjedhjet e narkoshtetit!

Zgjedhjet vendore të 14 Majit në Shqipëri u asgjësuan që pa filluar. Duke mos e regjistruar opozitën në mënyrë të paligjshme, duke hequr komisionerët dhe numëruesit e opozitës. Duke përdorur tatimorët për presion ndaj çdo biznesi, duke kërcënuar votuesit e opozitës me gojën e kryeministrit, për pasojat që do të kishin nëse votonin për opozitën. Por zgjedhjet u asgjësuan edhe ditën e zgjedhjeve, me zhbërjen e elementit themelor të sigurisë në zgjedhje, që ishte identifikimi elektronik i zgjedhësve, duke i kthyer qendrat e votimit në vende ku u dhunua hapur ligji dhe ku u ushtrua presion i pashembullt duke u mbushur me qindra drejtorë ministrish, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë bashkie, administratorë komunash e nëpunësa gjithfarësh, përfshirë dhe policë e banditë.

E gjithë kjo me mbështetjen e hapur nga grupet kriminale dhe te narkotrafikantëve, që fatkeqësisht u bënë njësh me Policinë e Shtetit. Shqiptarët dhanë një mesazh shumë të rëndësishëm guximi duke marrë pjesë ne këto zgjedhje dhe duke u përballur me presionin mafioz të narkoshtetit. Narkozgjedhjet i nxorën në shesh hapur të gjithë narkomanipuluesit e qeverisë, të cilët janë të evidentuar me emër dhe mbiemër.

Çdo veprim i tyre është evidentuar dhe mijëra fakte rëndojnë mbi ta. Euro humbi 10% të vlerës, aq shumë është përdorur ajo për të influencuar votuesit. Populli shqiptar është shumë më i madh se sa narkoqeveria dhe Demokracia e Ndryshimi që ai meriton, është i pashmangshëm. Asnjë narkozgjedhje nuk mund të mbajë peng lirinë dhe të ardhmen e shqiptarëve.