AKTUALITET, 27 Maj 2026, 10:04

Ish kryebashkiaku i Rrogozhinës/ U dënua me 1 vit burg për korrupsion në zgjedhje, Gjykata e Lartë shqyrton më 11 qershor rekursin e Edison Memollës

Ish kryebashkiaku i Rrogozhinës/ U dënua me 1 vit burg për

Me 11 qershor Gjykata e Lartë do të shqyrtojë rekursin e kryetarit të bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla i cili kërkon prishjen e vendimit të Apelit të Posaçëm që e la në burg për 1 vit. Relator i kësaj dosje është caktuar gjyqtari Genti Shala, i cili pritet të dalë me vendim mbi rekursin.

Memolla ndodhet në burgun e Rrogozhinës pasi është gjetur fajtor nga dy gjykata për korrupsion në zgjedhje. Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 9 shkurt, Memolla u vetëdorëzua në polici dhe më pas u transferua në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Hetimet ndaj tij nisën pas publikimit të një audio-përgjimi në të cilin Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie, dëgjohej duke ndërhyrë tek një punonjës i OSHEE-së, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.

Aktualisht drejtimi i Bashkisë së Rrogozhinës po bëhet nga një kryetar i komanduar.