TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Duke folur në seancën plenare, ku kishte thirrur në interpelancë ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, për situatën e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në vend, deputeti socialist Erion Braçe deklaroi se një fushatë e zhvilluar në javën e dytë të muajit janar për qumështin me aflatoksinë ka krijuar shqetësim te blegtorët.
Braçe tha se kishte marrë disa mesazhe nga blegtorë, që ankoheshin se kompanitë e qumështit po refuzonin qumështin e tyre. Ai përmendi disa nga mesazhet që mori:
“Një grup nga Bubullima shprehu shqetësimin se kompanitë po shkatërronin qumështin e tyre me pretendimin se ishte me aflatoksinë. Një tjetër mesazh nga Bubullima e Lushnjës kërkonte ndihmë për qumështin, pasi kompanitë nuk e pranonin. Një tjetër blegtor tha se qumështi pluhur merret më lirë nga kompanitë, ndaj ata nuk preferonin qumështin e fshatarëve. Po ashtu, disa blegtorë raportuan se kompanitë u bënë agresive dhe nuk merrnin pikë qumështi”.
Pas këtyre shqetësimeve, Braçe tha se ishte drejtuar tek institucionet shtetërore për të kuptuar situatën. Sipas tij, Agjencia e Kontrollit të Ushqimit (AKU) informoi se deri në fund të janarit ishte regjistruar vetëm një rast i qumështit me aflatoksinë në zonën e Beratit, ndërsa në mes të shkurtit u raportuan dy raste të tjera gjatë kontrollit të vazhdueshëm.
Deputeti shtoi se laboratorët pranë subjekteve përpunuese nuk janë të akredituar dhe se gjithë fushata e kompanive për qumështin rezultoi vetëm me dy mostra të kontaminuara me aflatoksinë, ndërkohë që për periudhën nga janari deri tani nuk është konstatuar asnjë rast tjetër.
Braçe përfundoi duke kërkuar nga ministri sqarime për këtë fushatë, e cila bëri që blegtorët ta derdhnin qumështin në kanal, duke dëmtuar prodhimin dhe punën e tyre.