AKTUALITET, 11 September 2026, 13:53

Kërkesat/ Disa protesta radhazi, banorët në Patos-Marinzë kërkojnë zbatimin e kontratës me Bankers

Prej disa protestash, banorët e zonës së Patos-Marinzës vijojnë qëndresën, duke këmbëngulur në zbatimin e kontratave të qirasë së tokës nga kompania Bankers deri në vitin 2029.

Sipas banorëve, kontratat parashikojnë një pagesë prej 4 milionë lekësh në vit për një dynym tokë, por pretendohet se kompania nuk po i zbaton detyrimet sipas marrëveshjeve.

Banorët kërkojnë që qiratë të vijojnë të paguhen sipas kontratës dhe paralajmërojnë përshkallëzim të protestës. Ata thonë se, nëse nuk marrin pagesën e qirasë, duke nisur nga nesër do të bllokojnë hyrjen e punonjësve në tokat që kanë dhënë me qira.

Një tjetër kërkesë e banorëve lidhet me vlerën e qirasë pas vitit 2029. Ata kërkojnë që pagesa të arrijë në 6 milionë lekë për dynym, ndërsa, sipas tyre, kompania ka propozuar uljen e saj në 2 milionë lekë.

Përplasja është përshkallëzuar edhe mbrëmjen e kaluar. Rreth 20 banorë u ngujuan në zyrat e kompanisë Bankers, ku qëndruan deri në orën 4 të mëngjesit.

Banorët dolën nga ambientet vetëm pasi iu komunikua se do të zhvilloheshin bisedime për kërkesat e tyre.

Protestuesit shprehen se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe se, nëse nuk gjendet një zgjidhje, protesta do të vijojë me bllokimin e tokave të qiradhënësve.