AKTUALITET, 13 Shtator 2025, 21:40

Eksplozivi në vazot e luleve në hotelin e Vangjush Dakos, policia dyshon për aktivizim me celular, detajet

Eksplozivi në vazot e luleve në hotelin e Vangjush Dakos, policia

Një ngjarje shqetësuese është regjistruar në Durrës, ku në hyrje të hotelit të ish-kryebashkiakut Vangjush Dako është zbuluar një sasi lënde plasëse e dyshuar artizanale.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Durrësit, eksplozivi është gjetur i fshehur në një nga vazot e luleve në ambientet hyrëse të ndërtesës, e cila aktualisht është jashtë funksionit.

Burime nga hetimet bëjnë me dije se mjeti shpërthyes ishte i pajisur me një mekanizëm aktivizimi përmes telefonit celular, çka ngre dyshime serioze për një tentativë shpërthimi të kontrolluar në distancë.

Deri më tani nuk ka persona të dyshuar apo të ndaluar për vendosjen e eksplozivit. Grupi hetimor, së bashku me njësinë antieksploziv të RENEA-s, po punon për të zbardhur plotësisht ngjarjen, për të identifikuar lëndën shpërthyese dhe për të kapur autorin ose autorët e dyshuar.

Policia garanton se po merren të gjitha masat për të garantuar sigurinë në zonë dhe për të zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje.

“Në lagjen nr. 1, Durrës, në hyrje të një ndërtese (ish-hotel, jashtë funksionit), në një nga vazot e luleve është gjetur një sasi e dyshuar lëndë plasëse, dyshohet artizanale. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të RENEA-s, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e llojit të lëndës së gjetur, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton policia.