TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kroacia dhe Sllovenia kanë kthyer mbrapsht perimet shqiptare për shkak të sasisë së lartë të pesticideve. Stavri Gjini dhe Nikollë Mihali fermerë në zonën e Lushnjës thanë se problemi kryesor është mungesa e kontrollit të pesticideve që shiten në farmaci bujqësore dhe pikat e imputeve bujqësore.
“Ne kemi shumë vite që punojmë me sera. Fillimisht tregun e kishim brenda vendit, por më pas me rritjen e prodhimeve dhe sipërfaqeve, eksporti u bë i domosdoshëm. Na duheshin këshilla, përqindjet e përdorimit të plehrave, ndihma teknike. Me kohë eksporti ka ecur mirë, drejt Europës, Bullgarisë, Rumanisë, Gjermanisë e më tej. Kujdesi për prodhimin fillon që nga fara, vendi ku mbillet dhe tregu ku shitet. Por jo gjithmonë arrihen të gjitha. Shpesh faji nuk është vetëm i fermerit. Edhe farmacitë bujqësore kanë përgjegjësi, pasi fusin preparate pa kontroll. Një shishe mund të testohet, por jo e gjithë sasia. Nëse përdoren preparate të pasigurta, dëmtohet i gjithë zinxhiri. Prandaj ne kemi nevojë për ndihmën e specialistëve, qoftë për farat, qoftë për pesticidet.”, tha Stavri Gjini.
Ndërsa Marsel Sema, i cili ka një magazinat më të mëdha të tregtimit të imputeve shprehet se çdo pesticid bujqësor shoqërohet me këshilla teknike, por sipas tij problemi kryesor është mosrespektimi i karencës, pra kohës që duhet pritur nga trajtimi kimik deri në vjeljen e prodhimit. Udhëzimet janë që fruti të vilet pas 14 deri në 21 ditësh nga trajtimi me pesticide por jo gjithmonë zbatohet nga fermerët.
“Shpesh fermerët nuk respektojnë karencën. Spërkatin sot, pas pesë ditësh vjelin prodhimin dhe kjo ndikon shumë te konsumatori. Çdo preparat ka kohën e vet, disa nuk lënë mbetje fare, disa kanë karencë të shkurtër, disa të gjatë por duhet respektuar. Ne importojmë kryesisht nga vendet e BE-së, sidomos Spanja, dhe çdo produkt shoqërohet me analizë dhe certifikatë fitosanitare. Fermerëve u japim asistencë falas dhe i ndjekim edhe në terren, duke i këshilluar të mos tejkalojnë dozat dhe të respektojnë karencën. Nëse i zbatojnë këto, produktet janë të pastra”, pohoi Marsel Sema.
Eksperti i bujqësisë Ardit Bali u shpreh se faji është i institucioneve në varësi të Ministrisë së Bujqësisë. Sipas tij agronomët duhet të jenë çdo ditë në terren për të këshilluar dhe kontrolluar fermerët. Gjithashtu është domosdoshmëri krijimi i laboratorëve që certifikojnë cilësinë e produktit.
“Këshillimi i specialistëve nuk funksionon si duhet. Nuk ka ndihmë të vazhdueshme për fermerët në lidhje me përdorimin e dozave dhe respektimin e karencës. Është domosdoshmëri ngritja e laboratorëve shtetërorë për certifikimin e produkteve, që të mos përsëriten kthimet nga tregjet e huaja. Karenca është koha që duhet të kalojë pas trajtimit me pesticide para se të vilet prodhimi. Fatkeqësisht, shumë fermerë nuk kanë informacion dhe institucionet nuk bëjnë sa duhet. Kështu, në Shqipëri produktet dalin ‘të pastra’, por jashtë vendit bllokohen. Laboratorët privatë ekzistojnë, por shteti duhet të ketë laboratorë funksionalë pranë drejtorive të bujqësisë dhe inspektoriateve.”, tha Ardit Bali.
Në përfundim, nga të gjithë faktorët – fermerë, tregtarë dhe ekspertë – ngrihen dy probleme kryesore: Moszbatimi i karences, mungesa e kontrollit dhe mbështetjes së specialistëve të bujqësisë si dhe nevoja urgjente për ngritjen e laboratorëve te licensuar për analizat e produkteve bujqesore.