AKTUALITET, 1 Shtator 2023, 13:31

“Greqia duhet të ndërhyjë menjëherë”, vëllai i Fredi Belerit tregon mesazhin që i tha nga burgu

“Greqia duhet të ndërhyjë menjëherë”,
Fredi dhe Leonard Beleri

Pas intervistave të dhëna së fundmi nga kryeministri Edi Rama për mediat greke, reagimi i ministrit të brendshëm grek dhe përgjigjja më pas nga pala shqiptare, ka reaguar vëllai i Fredi Belerit.

Ai ka dhënë një intervistë për televizionin grek “Action24”, ai deklaroi se mesazhi i Fredi Belerit është se do të qëndrojë në burg deri sa të jetë nevoja dhe se do të respektojë vendimin dhe votat e himariotëve.

“Jam i detyruar të respektoj vendimin dhe votat që kam marrë nga 4000 himariotë. Do të qëndroj në në sa të jetë e nevojshme”, tha Leonard Beleri në emër të vëllait të tij.

“Pala shqiptare kërkon të mos lejojë që Bashkia të kalojë në duart e Greqisë. Kjo është e qartë, pas kaq shumë aplikimeve për lirimin e kryetarit të Himarës, në mënyrë që ai të bëjë betimin. Fatkeqësisht nuk ka vullnet. Nga data 12 maj e deri më sot, jemi të sigurt që kjo ka qenë e planifikuar që në fillim, që Bashkia e Himarës të mos ndërrojë dorë”, theksoi ai.
Më tej shtoi se “kjo vonesë i leverdis Ramës, sepse ai e ka humbur këtë bashki, por administrata i mbetet autoritetit të mëparshëm. Greqia duhet të këmbëngulë dhe të gjejë një zgjidhje menjëherë”, u shpreh vëllai i Belerit.

Mediat greke shkruajnë se hendeku mes Athinës dhe Tiranës po rritet pas rrëzimit të kërkesës së fundit të kryebashkiakut të zgjedhur të bashkisë Himarë, Fredi Beleri, për lirimin e tij nga akuza e ‘shit-blerjes së votave’.

Çështja e Fredi Belerit, i cili qëndron në paraburgim në spitalin e burgjeve në Tiranë, duket se ka hyrë në ngërç, ndërsa pasojat diplomatike tashmë janë evidente në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Kërkesa e fundit për lirimin me kusht të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës u shqyrtua të hënën e kaluar nga Gjykata Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës dhe u rrëzua.

Po ashtu u rrëzuan të gjitha kërkesat e avokatëve të tij për të marrë qoftë edhe një licencë nga burgu që të betohet dhe të marrë zyrtarisht detyrat e tij.

Beleri qëndron në paraburgim që prej 12 majit me akuzën e tentativës për blerje votash dhe sipas ligjit zgjedhor shqiptar, nëse një kryetar bashkie nuk betohet brenda tre muajve, ai shpallet i shkarkuar dhe zgjedhjet përsëriten.

Tashmë është evident rreziku që Beleri të humbasë detyrën, ndërkohë që nuk dihet ende nëse do të mund të kandidojë sërish dhe nëse do të shpallen zgjedhje të reja. Qeveria shqiptare ende nuk ka treguar shenja të synimeve të saj, pasi nëse dhe kur do të mbahen do të vendoset nga ajo, e cila sipas të njëjtave burime, mund të interpretojë ligjin zgjedhor sipas dëshirës së saj.

Skenari më pozitivë për momentin është, nëse Tirana vendos t’i japë fund kësaj krize, që Belerit t’i jepet një leje administrative, qoftë edhe disa orëshe, për të bërë betimin.
Skenari i dytë është që qeveria shqiptare të shpallë zgjedhje në Heimarë me Belerin në paraburgim pa qenë i dënuar. Në këtë rast, ai do të ruajë dosjen e pastër kriminale dhe do të mundet, qoftë edhe nga burgu, të jetë sërish kandidat.
Skenari i tretë është që procesi i Belerit të vazhdojë menjëherë, para thirrjes për përsëritjen e zgjedhjeve. Nëse shpallet i pafajshëm do të mund të kandidojë sërish për kryetar bashkie, ndërsa nëse dënohet, nuk do të jetë kandidat.