TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Barush alias Bajram Bregu është personi që ka qëlluar dje me armë zjarri në ajër në Kiras të Shkodrës teksa policia i ishte vënë në ndjekje së bashku me një tjetër person, i cili tashmë është arrestuar. Barush Bregu është shpallur në kërkim 1 ditë pas vrasjes së dyfishtë në Shkodër me autor Ragip Gilën, ngjarje e ndodhur më 8 shtator 2025.
Ai dyshohet si personi që i siguroi armën autorit, i cili la të vdekur Liridon Krajën dhe Armaldo Palin, ndërsa u plagos aksidentalisht kamerierja e lokalit. Shënjestër ishte Erogen Bajri.
Barush Bregu është një emër i njohur për blutë e Shkodrës dhe me një të kaluar kriminale në fushën e narkotikëve, por jo vetëm. Prej vitesh, Bregu njihet një nga njerëzit kryesorë të vrasjeve për llogari të grupit Lici.
Në vitin 2012, ai ka ndryshuar emrin nga Bajram në Barush. 39-vjeçari është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “trafikim të lëndëve narkotike".
Më 4 maj 2019, Bregu u arrestua në Komunën e Parisit në Tiranë, pasi rezultonte i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim në vitin 2016, si dhe kishte masë sigurie "Arrest në burg", për armëmbajtje pa leje. Po ashtu, gjatë një aksioni në shtatorin e 2018-ës, pas vrasjes së Fatbardh Licit, në banesat e fisit Lici u gjet një armë zjarri automatike e cila kishte gjurmët e gishtave të Bregut.
Bregu u arrestua në 2019-ën nga një operacion i RENEA-s me snajperë të vendosur në pika të larta të pallateve, e cila bastisi banesën ku fshihej i riu. Në pranga ra edhe Bajram Çekorja nga Shkodra, personi që e kishte ndihmuar të fshihej.