AKTUALITET, 7 Korrik 2023, 14:02

Dhunuan barbarisht banorët, detajet e reja: Policia fshehu ngjarjen e rëndë dhe nuk guxon të arrestojë dy vëllezërit e deputetit Rraja

Dhunuan barbarisht banorët, detajet e reja: Policia fshehu ngjarjen e
Xhelal Rraja me pistoletë mbi kokën e banorit dhe deputeti Rrahman Rraja

Të tjera detaje zbardhen në lidhje me ngjarjen e dhunshme dje në Borizanë të Krujës ku anëtarë të fisit Rraja rrahën barbarisht dy persona. Duket se gjithçka ka nisur pas një proteste të bërë nga banorët e fshatit Borizanë, mes tyre dhe dy të dhunuarit, për një gurore që ishte në përdorim nga Xhelal Rraja, vëllai i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.

Gazetari Igli Çelmeta i ‘News24’, tha se në konflikt ishin përfshirë 8 persona nga fisi Rraja, ndërsa shtoi se 3 prej tyre janë në kërkim, mes tyre 2 vëllezërit e deputetit të PS-së, Xhelal dhe Flamur Rraja, të cilët rezultojnë ende në Shqipëri, sipas sistemit TIM-s.

“Ishte një protestë e banorëve të fshatit Borizan për një gurore. Jashar dhe Bilbil Maja deklaruan se shpërthimet po iu shembin banesat. Në një lokal në Fushë-Krujë u mësynë dhe dhunuan dy personat, me të cilët arritën të dilnin sot nga spitali i Traumës, por me plagë të rënda në kokë e trup. Policia e Shtetit nuk ka reaguar për shumë orë. Nga ora 11 deri në 19:00 nuk kishte asnjë reagim zyrtar apo dhe lëvizje për të arrestuar agresorët. Asnjë nga personat nuk është larguar nga territori shqiptar. Këto persona janë shpallur në kërkim dhe policia po kryen kontrolle.”, tha Çelmeta.

Xhelal Raja e Flamur Rraja, vëllezërit e deputetit të PS-së, Rahman Rraja, si dhe djali i këtij të fundit, Rexhep Rraja, kanë ushtruar dhunë barbare ndaj dy personave, sic shihet në video. Veç kësaj, me bluzë të bardhë në foto shfaqet Flamur Rraja, vëllai i deputetit të PS-së, që i drejton pistoletën në kokë një prej të dhunuarve.

Policia e Shtetit u kujdes maksimalisht të thotë që Rrajat kanë leje për guroren, por deri më tani nuk kanë kryer asnjë arrestim për dhunën barbare ndonëse të gjithë dhunuesit janë lehtësisht të identifikueshëm.

Kjo nuk është hera e parë që Rrajat përfshihen në konflikte të tilla dhe ngjarje kriminale në atë zonë. Kujtoni historinë me Xhisiela Malokun dhe më pas me Rramazan Rrajën e arrestuar për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji.