AKTUALITET, 2 Shkurt 2022, 21:04

Dalin emrat/ Cilët janë kandidatët e Bashës për zgjedhjet e 6 marsit

Dalin emrat/ Cilët janë kandidatët e Bashës për

Partia Demokratike e Lulzim Bashës ka mbetur e fundit për përcaktimin e kandidatëve me të cilët do të prezantohet në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Deri tani vetëm janë pesë bashki në të cilat degët kanë propozuar emra konkretë, ndërsa në Dibër ka ende pikëpyetje.

Deri tani janë konfirmuar Luan Hoti për bashkinë e Durrësit dhe Ferdinand Saraçi për Bashkinë e Rrogozhinës.

Strukturat drejtuese të PD në Shkodër propozuan të mërkurën Xhemal Bushatin si kandidat për kryetar bashkie ndërsa Indrit Sefa ka marrë pëlqimin e bazës si kandidat i PD për kryetar të bashkisë së Lushnjës. Sefa mban aktualisht postin e sekretarit për marrëdhëniet ligjore dhe procesit zgjedhor në PD.

Dega e PD-së në Vorë propozon Ymer Markun si kandidat për kryetar të Bashkisë.

Mësohet se në Dibër po diskutohet mes dy emrave, Naim Gazidede, i cili është kryetar i degës dhe Luan Haka që ka detyrën e sekretarit. Në diskutime ka qenë edhe emri i ish-deputetit Xhemal Gjunkshi.

Të mërkurën Lulzim Basha takoi drejtuesit dhe faktorët politike të bashkive ku do të ketë zgjedhje. Pas konsultimit dhe marrjes së vendimit me strukturat e degëve në bazë të statutit është Kryesia e PD-së që jep miratimin përfundimtar.