AKTUALITET, 20 Tetor 2022, 14:38

Britania në "kaos"! Jep dorëheqjen kryeministrja pas 45 ditësh në detyrë

Britania në "kaos"! Jep dorëheqjen kryeministrja pas 45
Liz Truss

Kryeministrja britanike, Liz Truss, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas 45 ditësh, duke u bërë kryeministrja që ka shërbyer për kohën më të shkurtër në historinë e Mbretërisë së Bashkuar. 

Truss deklaroi se nuk mund ti mbajë premtimet që bëri gjatë garës për lidershipin në Partinë Konservatore, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja për lidershipin e partisë. 

Para pak ditësh ajo shkarkoi Kancelarin e Thesarit, Kwasi Kwarteng dhe qeveria bëri një kthesë turpëruese për politikat fiskale, duke anulluar uljen e taksave për më të pasurit, politikë të cilën pranoi se ishte e gabuar. Ndërsa dje dha dorëheqjen nga detyra, Ministrja e Brendshme, Suella Braverman e cila në letrën e dorëheqjes, shprehte shqetësim për "drejtimin ku po shkon qeveria". 

Kthesat e vazhdueshme të qeverisë, për një pjesë të konsiderueshme të premtimeve të Truss, e kanë bërë të pamundur qëndrimin e saj në detyrë, ndërkohë që vendi përballet me krizë për shkak të rritjes të çmimeve. 

Partia Konservatore do të mbajë zgjedhje për lidershipin sërish dhe kreu i kësaj partie do të jetë kryeministri i ri i vendit. Truss deklaroi se zgjedhjet do të përfundojnë brenda javës së ardhshme. 

Kreu i opozitës, Sir Keir Starmer, ka kërkuar mbajtjen urgjente të zgjedhjeve të parakohshme. 

Politika në Britani ka hyrë në një spirale kaotike, që pas dorëheqjes së Boris Johnson. Është e paqartë nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhejve të parakohshme, por thirrjet për zgjedhje të përgjithshme sa vijnë dhe shtohen.