AKTUALITET, 20 Tetor 2022, 12:25

Partia e Lirisë: Rama bëri mirë që u tërhoq nga vettingu i pedagogëve, e detyroi pakënaqësia popullore

Partia e Lirisë: Rama bëri mirë që u tërhoq nga

Nën-kryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho, është shprehur se forca e intelektualëve e detyroi kryeministrin Edi Rama që të anulonte vettingun e pedagogëve.

Nesho u shpreh se Rama i shtyrë nga frika e pakënaqësisë popullore, bëri mirë që u tërhoq nga një vendim i panevojshëm.

Ai i bën thirrje Ramës që të pranojë të gjitha kërkesat e pedagogëve, studentëve e stafit akademik, të cilët sipas Neshos nuk kërkojnë asgjë tjetër veçse të kontribuojnë në zhvillimin e institucioneve të shtetit shqiptar.

“Forca e intelektualëve që e detyroi Edi Ramën të anullonte vettingun e pedagogëve.

Brenda dy ditësh Edi Rama ktheu vendimin e tij për vettingun ndaj pedagogëve, të cilët janë ngritur në protestë të drejtë, në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe forcimit të universiteteve si qendra të dijes dhe shkencës.

Edi Rama bëri mirë që u tërhoq nga një kërcënim i panevojshëm, ndoshta i shtyrë nga frika në rritje e pakënaqësisë së intelektualëve dhe opinionit publik.

Në solidarizim të pedagogëve së fundmi janë rreshtuar edhe shumë intelektualë e ish-deputetë të Partisë Socialiste, që e kuptojnë rëndësinë jetike për kombin të një jete akademike të lirë nga influencat e pushtetit.

Ne i bëjmë thirrje, që në këtë moment reflektimi të pranojë të gjitha kërkesat e pedagogëve, studentëve, e stafit akademik, të cilët nuk kërkojnë asgjë tjetër veçse të kontribuojnë në zhvillimin e institucioneve të shtetit shqiptar", deklaroi Nesho.