AKTUALITET, 20 Tetor 2022, 12:20

Pedagogu i drejtohet Ramës: Stop shantazhit, t’ia lëmë biografitë të shkuarës. Deri ditën e fundit nuk tërhiqemi nga kërkesat tona

Pedagogu i drejtohet Ramës: Stop shantazhit, t’ia lëmë

Profesori Lul Susaj nga universiteti Bujqësor i Tiranës është deklaruar i vendosur se pedagogët do të rezistojnë deri në fund për kërkesat e tyre dhe i ka bërë thirrje kryeministrit të mos vijojë me shantazhet e presionet.

Pedagogu tha se kërkesa për rritjen e pagave bëhet “për ta kthyer në më shumë kohë e punë për studentët e Shqipërisë që të marrin profesione në universitetet e tyre e mos kenë nevojë të ikin nga vendi sikur vendi me qenë në një luftë civile apo në një luftë më të keqe”.

“Kemi 18 vjet pa rritje page e gjendja ka shkuar aty ku nuk mban më”- theksoi ai.

“Ne duam të vendosim Shqipërinë mbi partitë. Rilindasit e parë patën famë e lanë të shkruar ti mësojmë shqiptarët me dash Shqipërinë më shumë partinë e ne jemi ata që duam Shqipërinë me shumë se partinë e ti lëmë biografitë se ia kemi lënë të shkuarës dhe nëse do me u marr me biografi të gërmojë për ne jo për jetët tona por i sugjerojmë dhe për baballarët dhe gjyshërit tonë.

Këshilloj e apeloj qeverinë për me i thonë stop shantazhit, zoti kryeministër të gjitha agjencive ligjzbatuese jeni të lutur bëni veting e nëse gjeni për këdo tjetër për çdo profesor botojeni, publikojeni ne jemi njerëz me faqe të bardhe e duar të pastra e kështu do të qëndrojmë deri në fund. As 100 lekë të vjetra nuk i kemi marrë askujt, deri ditën e fundit nuk do të tërhiqemi nga kërkesat tona”, tha ai.