AKTUALITET, 27 Prill 2022, 20:10

Bisedimet me PD-në për presidentin, Rama: Nuk është ndonjë dramë e madhe po nuk kontribuoi opozita

Bisedimet me PD-në për presidentin, Rama: Nuk është

Kryeministri Edi Rama deklaroi në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PS-së se pret kontributin e opozitës për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.

Shefi i qeverisë u shpreh se Partia Socialiste do të presë bashkëpunimin e Partisë Demokratike deri në nisjen e procesit kur të kenë dalë dhe emrat.

Ai shtoi se nuk do të ishte një dramë e madhe nëse opozita nuk do të donte të kontribuonte në këtë proces.

“Është një proces që po e ndjek komisioni që kemi ngritur. Nuk ka problem afatesh. Do presim deri në momentin që të fillojë procesi dhe të kemi emrat. Nëse ata nuk do japin ndonjë kontribut nuk do të ishte dramë e madhe, e kundërta do të ishte surprizë. Ne kur ishim në opozitë, kur ata kishin apo kur nuk kishin votat ne ishim aty dhe dhamë kontributin tonë. Ky është dhe roli i opozitës, që të arrijë të bindë pjesën tjetër, por që jo domosdoshmërisht e bind ”, tha Rama.

Gjatë deklaratës së tij për media, Rama u ndal dhe tek procesi i integrimit ku u shpreh se i sheh pa optimizëm negociatat mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Ai shtoi se nëse negociatat nuk hapen në qershor qeveria e Shqipërisë do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia për sa i përket proceseve integruese në BE.

“S’kam asnjë surprizë i kam thënë ato që kam thënë për këtë proces. Nuk jam optimist për rezultatin e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sikurse e kemi ndarë dhe me shqiptarët, bazuar dhe në opinionin e marrë nga qytetarët tanë përmes Këshillimit kombëtar, nëse në qershor ky ngërç nuk do të zgjidhet ne do të bëjmë ndryshimin e kursit tonë dhe do të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut. Shpresoj që rizgjedhja e presidentit Macron t’i japë një shtysë të brendshme proceseve integruese, së bashku me kancelarin e ri gjerman, pasi përndryshe situata e brendshme në BE do të jenë problematike jo vetëm për ne, por për të gjithë unionin”, tha Rama.