AKTUALITET, 27 Prill 2022, 17:39

“Ligji për Arsimin e Lartë anti-kombëtar,” Berisha: Të përgjysmohen tarifat e të rriten financimet për kërkime shkencore

“Ligji për Arsimin e Lartë anti-kombëtar,” Berisha:
Sali Berisha -Ish Kryeministër

Ish-kryeministri Sali Berisha është duke zhvilluar pasditen e së mërkurës një bashkëbisedim me një grup pedagogësh mbi Arsimin e Lartë.

Gjatë fjalës së tij ndër të tjera Berisha u shpreh se arsimi i lartë u ndëshkua “në mënyrën më anti-kombëtare” me kalimin e ligjit për Arsimin e Lartë.

Sipas tij, ky ligj i bëri sistemit të arsimit në vend një dëm të pallogaritshëm, ndërsa solli në vëmendje se opozita nuk e kundërshtoi ligjin me forcë. Ndërsa e cilëson si një ligj shumë larg realitetit shqiptar, lideri historik i demokratëve tregon se me të u mor për dy vite dhe doli në përfundimin që nuk mund të aplikohej ashtu siç ishte.

“Arsimi i Lartë u ndëshkua në mënyrën më antikombëtare nëpërmjet të famshmit ligj. Ishte sponsorizim direkt, mafioz, i Henri Çilit tek Edi Rama. Pasi dështoi me gjithë përpjekjet që të më bindte në ato klauzola që ishin…i bëri vendit një dëm të pallogaritshëm. Dhe i bëri vendit, duke korruptuar atë që i pranoi ligjin. Mjerisht opozita shqiptare, nuk e kundërshtoi ligjin me forcë. Ky ligj ndëshkonte të varfrit e këtij vendi. Një hap të tillë s’mund ta ndërmarrësh kurrë si qeveri. Përkundrazi do bësh çmos, që ky proces të dikojë edhe në luftën kundër varfërisë në zonat e tua të varfra. Me këtë ligj, që ishte larg realitetit shqiptar, u mora dy vite dhe konstatova se për ne nuk mund të aplikohej ashtu siç ishte. U shndërrua në një shpatë për të përjashtuar mijëra të rinj nga mundësia për t’u futur në universitete. Ligji ndërpreu proceset e doktoratave, me qindra bëheshin në universitetet private.”