AKTUALITET, 31 Gusht 2023, 21:05

Ministrja Xhaçka i përgjigjet Greqisë për Belerin: I përket drejtësisë, as qeverisë shqiptare dhe as asaj greke

Ministrja Xhaçka i përgjigjet Greqisë për Belerin: I
Olta Xhaçka

Ministrja Olta Xhaçka ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis për çështjen e Fredi Belerit

Xhaçka thotë se fqinjët greke nuk janë të vetmit që kanë të drejtë, duke shtuar se tashmë çështja e Fredi Belerit i përket vetëm drejtësisë shqiptare.

"Nuk ka mundësi që miqtë & fqinjët tanë grek të jenë të vetmit që kanë të drejtë,kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare"-deklaroi Xhaçka.

Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis, në një deklaratë për gazetarët grekë pas pjesëmarrjes së tij në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të BE-së “Gymnich” në Toledo, ka theksuar se është diskutuar edhe çështja e kryetarit të Bashkisë së Himarës.

“Çështja e mbajtjes së përkohshme në mënyrë të padrejtë të Fredi Belerit, dhe që pengon betimin e tij si kryetar i Bashkisë së Himarës, tashmë është ngritur nga Ministria e Jashtme, nga unë, në të gjitha forumet e mundshme. Të gjithë ministrat e vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Stoltenberg, janë informuar personalisht. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian gjithashtu janë informuar në mënyrë të plotë“- tha ai.

“Pata mundësinë të bëja një diskutim të gjerë kokë më kokë me komisionerin përgjegjës për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, me të cilin ngritëm çështjet e Ballkanit Perëndimor. Greqia, siç e dini, ka marrë iniciativën për të përshpejtuar rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt familjes evropiane. Dhe 20 vjet pas Deklaratës historike të Selanikut, Greqia do të jetë gjithmonë mbështetje për këto vende sa i përket perspektivës së tyre evropiane.

Sidomos për çështjen e zotit Beleris, dua të theksoj se, pavarësisht nga çështja e vendimeve gjyqësore, pavarësisë së drejtësisë shqiptare, këtu shtrohet çështja e paraburgimit që e pengon atë të marrë detyrën. Kjo është një shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë, e shtetit të së Drejtës, e të drejtave politike të tij dhe të qytetarëve të Himarës që e zgjodhën atë.

Dhe dua të theksoj se kjo çështje, veçanërisht betimi dhe marrja e detyrës nga zoti Beleris, nuk ka të bëjë me funksionin gjyqësor në Shqipëri, por është thjesht një çështje vullneti politik, nga ana e qeverisë shqiptare. Dhe për këtë arsye, Greqia do të vazhdojë të shfrytëzojë çdo mundësi, në mënyrë që të mundësohet betimi i z. Beleri si kryetar bashkie dhe të shprehet në mënyrën më të mirë vullneti i banorëve të Himarës, ashtu siç erdhi përmes zgjedhjeve të saj bashkiake të 14 majit”– përfundoi ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis.