TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një grup deputetësh të Partisë Demokratike, janë praqitur në selinë e partisë, por i kanë gjetur të gjitha dyert të kyçura.
Ata nuk kanë mundur të hyjnë brenda.
Lulzim Basha, ka vendosur të blindojë partinë, madje edhe të besuarit e tij, siç ishte rasti i Tabakut, nuk mundën të hyjnë në seli, pa lajmëruar me telefon që të hapen dyert.
Jashtë selisë, Flamur Noka ka dhënë një deklaratë për mediat, duke thënë se Basha e ka kthyer selinë në një "Alkatraz", duke iu referuar burgut famëkeq.
Noka tha se në 8 janar, selia do të kthehet te demokratët, pas protestës së paralajmëruar nga Komisioni i Rithemelimit, i kryesuar nga Sali Berisha.
Berisha ka deklaruar në emisionin "Të Paekspozuarit" dhe në dalje të ndryshme televizive, se Basha do të "shoqërohet butësisht" nga selia e PD.
"Një grup deputetësh, anëtarë të grupit parlamentar të PD, erdhëm sot në seli, në shtëpinë tonë, për të zhvilluar një takim dhe mbledhje në lidhje me axhendën që do të ketë grupi parlamentar dhe PD për vitin 2022.
Ajo që po konstatojmë me dhimbje, është se shtëpia e lirisë, PD, sot duhet të ishte një ambient që duhet të gumëzhinte dhe të mblidheshin demokratët. Për fat të keq, Rama me pengun e tij, e kanë kthyer në Alkatraz të kohëve moderne! Gjithçka e mbyllur dhe e kyçur, e ka kthyer PD në një burg të sigurisë së lartë.
Pengu i Ramës, mund të rrijë i vetëburgosur, si mënyra më e mirë që Rama të zgjasë ditët e pushtetit. Mund të burgosë pengun e tij, por jo shpirtin e lirë të demokratëve.
Data 8 do të jetë një ditë kur demokratët të marrin frymë lirisht. Jo nga qelitë e Alkatrazit, por nga shtëpia e lirisë. Nga Alkatraz, demokratët në mënyrë paqësore do ta kthejnë në shtëpinë e lirisë", tha Noka.