TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Afati që Grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike, i udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha, i dha kryetarit të shkarkuar të PD-së, Lulzim Basha për të liruar selinë blu përfundon ditën e sotme.
Grupi i Rithemelimit i komunikoi Lulzim Bashës vendimin e më shumë 43 mijë demokratëve që e shkarkuan atë me votë dhe kërkoi prej tij që në datë 5 janar (sot) të lironte zyrën.
Berisha ka deklaruar se do të shkojë në selinë blu, por nga ana tjetër Basha ka bërë disa ndryshime në godinë, duke blinduar derën kryesore e duke u përgatitur për ndonjë skenar të mundshëm.
Ditën e djeshme ka pasur një përplasje virtuale mes Komisionit të Rithemelimit dhe Bashës. Komisioni i Rithemelimit tha se Basha Partinë Demokratike po e kthen në një bunkier.
Çfarë ka ndodhur deri më tani në Partinë Demokratike?
Historia fillon në 9 shtator kur Lulzim Basha pezulloi Sali Berishën, tashmë “non grata” nga Amerika nga grupi parlamentar.
Pas vendimit të Bashës, Berisha iu rikthye aktivitetit të tij politik, duke nisur takimet me bazën që i quajti “Foltore”. Më 11 dhjetor, Kuvendi i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha votoi me 4446 fleta pro shkarkimit të Bashës.
Ky Komision pritet ta marrë në dorë partinë deri më 22 mars 2022 kur do të thirret një Kuvend i ri për të zgjedhur kryedemokratin e ri dhe funksionarët e tjerë. Por Basha nuk e njeh vendimin, pasi në Kuvendin e 18 dhjetorit, Berisha u përjashtua nga të gjitha institucionet drejtuese të partisë që ai vetë themeloi.
Të dy palët kanë përjashtuar dhe shkarkuar njëri-tjetrin, por askush nuk njeh asnjë prej vendimeve të “kampeve” kundërshtare.
Ish-kryeministri Sali Berisha i ka vendosur afate Bashës.
Nëse Basha nuk do të largohet nga zyra brenda ditës së sotme, Berisha do të organizojë një protestë paqësore, ku anëtarësia e partisë do ta nxjerrë “butësisht” nga zyra.
Ditën e shtunë, datë 8 Janar, pritet të mbahet protesta, përpara selisë së PD-së.