AKTUALITET, 16 Tetor 2023, 17:35

Bardhi: Samiti i Procesit të Berlinit e gjeti Shqipërinë me qeverinë më të korruptuar në Europë

Bardhi: Samiti i Procesit të Berlinit e gjeti Shqipërinë me

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me Samitin e Procesit të Berlinit që oi mbahet në Tiranë.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, Bardhi shprehet se ky samit mbahet në një kohë që qeveria në vendin tonë është e korruptuar dhe që përjashton nga institucionet opozitën.

Reagim i Bardhit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e konsideron Procesin e Berlinit me një rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. Prandaj, qeveria shqiptare duhet të shpallë zyrtarisht heqjen dorë nga nisma e rrezikshme Rama-Vuçiç për Ballkanin e Hapur. Procesi i Berlinit duhet të jetë e vetmja linjë zyrtare në ndërtimin e marrëdhënieve rajonale dhe europiane.

Grupi Parlamentar i PD dhe opozita mbështet pa kushte integrimin europian si prioritetin absolut kombëtar. Ne mbështesim çdo reformë që çon përpara anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe, në 33 vjet, kemi treguar se jemi  partia që kemi vënë interesin kombëtar përpara interesit politik. Mirëpo, fatkeqësisht Samiti i Procesit të Berlinit e gjeti Shqipërinë me Qeverinë më të korruptuar në Europë dhe me një Parlament-noter të akteve korruptive të kryeministrit që, me forcën e kartonit, ka mbyllur çdo hapësirë institucionale për opozitën.

Nuk ka asgjë të sinqertë në deklaratën e sotme të Kryetares së Kuvendit “për garantimin e legjitimitetit demokratik dhe për gjithëpërfshirje  në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”. Më së paku, kjo është hipokrizi!

Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke përjashtuar opozitën!
Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke i mohuar opozitës të drejtat kushtetuese.
Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke rrëzuar kërkesat për kontroll parlamëntar përmes Komisioneve Hetimore.
Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke bllokuar të drejtën e opozitës për pjesëmarrje në Reformën Zgjedhore.
Gjithëpërfshirja nuk sigurohet duke përjashtuar opozitën në mënyrë arbitrare dhe duke mbyllur çdo hapësirë institucionale.
Asgjë nga këto nuk është gjithëpërfshirje, por një tentativë e qartë e partisë në pushtet për të eliminuar opozitën dhe pluralizmin politik në Shqipëri!