AKTUALITET, 4 Dhjetor 2023, 23:54

Ish-kryebashkiaku Bardh Spahia i përgjigjet kryeministrit: Fuqia e Ramës në Shkodër nuk ka qenë asnjëherë te socialistët, por te bandat

Ish-kryebashkiaku Bardh Spahia i përgjigjet kryeministrit: Fuqia e

Ish-kryetari i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, reagoi pas takimit të Ramës në kryeqendrën e Veriut, drejtimin e të cilës PS e mori pas fitores së Benet Becit në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Shkodra ishte ndalesa e radhës e Asamblesë së PS. Fjalën e tij kryeministri Edi Rama e nisi me ndryshimet që janë bërë në këtë qytet pasi Benet Beci ka marrë drejtimin e bashkisë, duke nisur nga Shkodra që, sipas tij, nuk quhet më ‘qyteti i plehrave’, pastaj te investimet e rreth 20 milionë eurove etj.

Bardhi u shpreh, ndër të tjera se nuk janë këto mbledhjet e vërteta të Edi Ramës në Shkodër dhe se fuqia e tij nuk ka qenë asnjëherë tek socialistët, por tek bandat.

Reagimi i Bardhit

Nuk janë këto mbledhjet e vërteta të Edi Ramës në Shkodër. Fuqia e tij në Shkodër nuk ka qenë asnjëherë tek socialistët, por tek bandat.

Zgjedhjet në Shkodër nuk i fiton PS. Ato i blen krimi i organizuar, të cilin Edi Rama e ka mbrojtur, e ka ushqyer me tendera, i ka dhënë pushtet dhe e ka shpallur investitor strategjik.

Tashmë e kemi provuar me foto dhe me video, përtej çdo dyshimi, se Shkodra sundohet nga krimi. Se ditën e zgjedhjeve, ishin ata që përfaqësonin PS dhe Edi Ramën në Shkodër.
Në të vërtetë, janë ata që sot kanë pushtetin, megjithëse zyrtarisht nuk marrin pjesë në inspektime fasadash të vonuara, por kanë përfaqësuesit e tyre në kryesi e në mbledhjet e partisë shtet të Edi Ramës.

Sa për premtimet për investime politike të vonuara në Shkodër, nuk ka asgjë më demaskuese për Edi Ramën që për 10 vjet u mohoi shkodranëve disa projekte zhvillimi, vetëm e vetëm se nuk i ishin nënshtruar pushtetit kriminal të kryeministrit.

Çfarëdo të bëjë për Shkodrën, nuk do të mbulojë dot kriminalizimin, kanabizimin, varfërimin, ç'popullimin dramatik dhe persekutimin politik e ekonomik dhjetëvjeçar që i bëri qytetit tonë!

Pa bandat e veta, pa bërjen njësh të shtetit me partinë dhe krimin, Edi Rama është askushi në Shkodër!
Ne nuk do të heqim dorë asnjëherë për ta provuar këtë!