AKTUALITET, 4 Dhjetor 2023, 18:27

“Droga shqiptare po mbërrin në Itali falë politikës”, HuffPost Italia: “Toka e Shqiponjave” duhet të përballet me korrupsionin, rasti i Saimir Tahirit…

“Droga shqiptare po mbërrin në Itali falë

HuffPost Italia i ka kushtuar një artikull trafikimit të drogës nga Shqipëria drejt vendit apenin, duke rikutjuar rastet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, por edhe atë të trafikantit Klement Balili.

Në shkrimin e saj media shprehet se pjesa më e madhe e drogës shqiptare po mbërrin në Itali falë lidhjeve dhe ndërhyrjes së politikës dhe se askush nuk po e ndalon këtë fenomen.

Duke analizuar marrëdhëniet mes krimit të organizuar shqiptar dhe italian në lidhje me trafikun e drogës dhe marrëdhëniet me politikën, del në pah një fakt shqetësues. Falë këtyre lidhjeve një pjesë e madhe e drogës shqiptare mbërrin në Itali. Këtë e vërtetojnë konfiskimet gjithnjë e në rritje të lëndëve narkotike. Në Shqipëri ka ende plantacione kanabisi në ajër të hapur. Droga shqiptare mbërrin në Itali nëpërmjet brigjeve të Adriatikut, një pjesë mbetet në Itali dhe pjesa tjetër shkon drejt shumë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian shkruan HuffPost Italia.

Pozita gjeografike midis Italisë dhe Shqipërisë ka lehtësuar ndër vite zhvillimin e kanaleve të drejtpërdrejta midis grupeve kriminale italiane dhe shqiptare, me referencë të veçantë për furnizimin, ruajtjen dhe tregtimin e substancave narkotike. Ka pasur gjithmonë kontakte të vazhdueshme midis grupeve kriminale shqiptare me degë në Itali dhe grupeve kriminale puliane, duke iu referuar veçanërisht atyre që veprojnë në zonën e Foggia-s, në zonën e Barit dhe në zonën e Salentos me degëzime edhe në territorin shqiptar.

Është e vërtetë që në Shqipëri ka ndërlidhje mes trafikantëve të drogës dhe politikës. Fatkeqësisht, Toka e Shqiponjave duhet të përballet me shkallën e lartë të korrupsionit të pranishëm. Kjo ka ndodhur si me qeverinë e djathtë ashtu edhe me atë të majtë. Rasti më përfaqësues i marrëdhënies mes politikës së korruptuar dhe krimit të organizuar është dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me pesë vite burg nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Tahiri ishte ministër i Brendshëm në Shqipëri në qeverinë e dytë Rama, nga viti 2013 deri në vitin 2017, kur u detyrua të braktiste detyrën për shkak të akuzave për përfshirje në trafik droge, shkruan media italiane më tej.

Ndërlidhjet ekzistojnë edhe me mafiozët italianë. Hetimet e shumta nisin që nga hetimi nga Guardia di Finanza e Katanias, me operacionin e quajtur “Rosa dei Venti”, që çmontoi një rrjet kriminal italo-shqiptar të akuzuar për importimin e tonëve kanabis nga Shqipëria në Itali për mbi 20 milionë. euro. Që atëherë, në vitin 2018, deri më sot kapjet e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali janë shumëfishuar me shifra eksponenciale.

Në vitin 2023 në Brescia një sekuestrim i madh me vlerë mbi 3 milionë euro i dha një goditje të rëndë një organizate kriminale italo-shqiptare që importonte drogë në Itali. Në Treviso u sekuestruan gjithsej 420 kilogramë drogë me vlerë të shitjes me pakicë që vlerësohet në mbi 34 milionë euro. Në Romë tashmë qarkullon droga kryesisht shqiptare dhe mbizotërojnë kartelet “shqiptare”.

Ka edhe disa trafikantë shqiptarë droge me lidhje në Itali. Moisi dhe Florian Habilaj, të konsideruar si drejtues të kartelit të Vlorës dhe tashmë të njohur për autoritetet gjyqësore dhe policore italiane, rikujton HuffPost. Vëllezërit Habilaj trafikonin drogë drejt Italisë dhe Greqisë. Marrëveshja e fshehtë mes politikës dhe trafikantëve përfshinte edhe Italinë.

Për të kuptuar përfshirjen e politikës mund të marrim si shembull rastin e Klement Balilit të arrestuar për trafik ndërkombëtar droge tashmë në vitin 2006. Pronar i hoteleve të shumta luksoze në bregdetin shqiptar, atij iu besua transporti në rajonin e Sarandës në vitin 2014 edhe pse ai ishte në kërkim për shkak se ndaj tij ishte lëshuar një flet-arrest ndërkombëtar. Sot është i dënuar pasi iu dorëzua drejtësisë shqiptare në këmbim të uljes së madhe të viteve të burgimit.

Fitimet nga trafiku dhe tregtia e drogës janë të mëdha dhe paratë e drogës janë gjithashtu joshëse për politikanët. Në Shqipëri, partitë politike dhe fushatat elektorale shpesh financohen me të ardhura nga trafiku i drogës. Krimi i organizuar, politika dhe ekonomia janë shpesh të ndërlidhura në një rrjet të ndërlikuar interesash të përbashkëta dhe një sërë përfitimesh reciproke, theksohet në artikull.

Ashtu siç ndodhi në Itali, edhe në Shqipëri, organizatat më të rëndësishme kriminale kanë arritur të hyjnë në politikë, ekonomi, financa, media dhe në aktivitete sociale e kulturore. Ata kontrollojnë territorin, krijojnë mirëqenie, prodhojnë investime dhe gjithashtu ndikojnë aktivisht në politikën shqiptare. Qeveria shqiptare duhet të zbatojë ndryshime serioze legjislative në të ardhmen e afërt, duke filluar nga Kodi i Procedurës Penale dhe Penale, për të forcuar masat represive ndaj anëtarëve të organizatave mafioze. Modeli për të frymëzuar është padyshim ai i luftës kundër mafies italiane.

Prandaj do të jetë e nevojshme të forcohet siguria e burgjeve; luftimi i krimit të organizuar dhe lidhjeve me politikën dhe botën ekonomike; të luftohet korrupsionin në mënyrë efektive; të përdoret izolimi total i të burgosurve të rrezikshëm për të parandaluar komunikimin e tyre të jashtëm me organizatat kriminale; dhe të konfiskohen pasuritë e mafias. Një tjetër nga problemet me të cilat do të përballet Shqipëria është sistemi i saj gjyqësor, i cili duhet të reformohet dhe të përmirësohet, duke e mbrojtur mbi të gjitha nga korrupsioni dhe ndërhyrjet politike që cenojnë besueshmërinë dhe efektivitetin e saj, përmbyll shkrimin media italiane.