AKTUALITET, 11 Mars 2025, 09:39

'Babalja'/ Salianji kërkon lirinë, Gjykata e Lartë shqyrton sot rekursin e ish-deputetit të PD-së

'Babalja'/ Salianji kërkon lirinë, Gjykata e Lartë

Një tjetër seancë me rëndësi ditën e sotme pritet të jetë ajo për ish-deputetin demokrat Ervin Salianji, i dënuar me 1 vit burgim me formë të prerë nga Apeli i Tiranës, izolim që po e vuan prej 27 shtatorit 2024 në Burgun e Fierit.

Bëhet fjalë për rekursin në Gjykatën e Lartë që do të shqyrtohet ditën e sotme (11 mars), teksa ish-ligjvënësi kërkon lirimin për dosjen “Babale”.

Vendimi pritet që të jepet nesër në orën 10:00. Salianji ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, kundër dënimit me 1 vit burg.

Më datë 15 tetor 2024, Gjykata e Lartë e refuzoi kërkesën e Salianjit për pezullimin e dënimit me 1 vit burg nga Apeli.

Shkalla e parë vendosi që Salianji të dënohet për kallëzim të rremë, në lidhje me një denoncim me audio-regjistrim që ka bërë për vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa. Në audio-përgjimin që publikoi Salianji, thuhej se Agron Xhafa ishte pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të lëndëve narkotike, por kjo audio rezultoi e montuar.