AKTUALITET, 10 Mars 2025, 21:44

Adriana Kalaja: Ligji nuk e lejon që Veliaj të marrë avokat të huaj, e bën për presion

Adriana Kalaja: Ligji nuk e lejon që Veliaj të marrë avokat

Adriana Kalaja, avokate dhe përfaqësuese e PD-së, u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se jurisprudenca shqiptare nuk e lejon që një avokat i huaj të marrë pjesë në një proces penal, nëse nuk njihet licensa në Shqipëri. Nga ana tjetër ajo u shpreh se takimi mes avokatit amerikan dhe Veliajt është bërë për presion publik dhe mediatik.

“Nëse do të më lejosh, në raport me avokatin që ka ardhur nga SHBA dhe që po na pompohet kaq shumë sepse zoti Veliaj ka marrë këtë avokat, dua të ngre dy probleme kryesore. Së pari, nga aspekti formal, procedurial, jurisprudenca shqiptare nuk e lejon që një avokat i huaj të marrë pjesë në një proces penal, nëse nuk njihet licensa në Shqipëri.

Avokati amerikan nuk merr dot pjesë si avokat i Veliajt, sepse nuk e lejon statusi i përfaqësimit ligjor në një çështje penale.

Mendoj se duke qenë në tagrin e një vëzhguesi apo konsulenti, mendoj se më shumë bëhet kjo buja e presionit publik apo mediatik sesa ka efektet ligjore të përfaqësimit. Ajo që më bën përshtypje dhe dua ta them, është fakti se nëse sipas publikimit të deputetit Petrit Vasili dhe Erisa Xhixo, prej më shumë se 3 javë apo një muaj, kërkojnë takim me zotin Meta, takim që nuk mundësohet dhe nga ana tjetër na bën shumë përshtypje se si organizohet takimi mes Veliajt dhe avokatit që sapo ka ardhur nga SHBA.

Veliaj, përpara se të merrej masa e sigurimit personal, ka bërë deklarata shumë të rrezikshme. Është nga momentet pse SPAK ka kërkuar burg. Ai deklaroi se është  interesuar për kallëzuesin Nesti Angoni dhe ka deklaruar se nuk ekziston”-tha Kalaja.