AKTUALITET, 10 Mars 2025, 22:51

“Edhe Rrugën e Kombit e morët?!”/ Analistët debatojnë me Blendi Klosin për sukseset e PS-së në 12 vite

“Edhe Rrugën e Kombit e morët?!”/ Analistët

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke argumentuar përse PS-ja kërkon një mandat të katërt, renditi sukseset që sipas tij janë arritur gjatë 3 mandateve të PS-së.

Ndërsa përfshiu edhe Rrugën e Kombit në punët e qeverisë, analistët në studio i kujtuan z. Klosi se ajo ishte vepër e qeverisë së Berishës, ndërsa Klosi u shpreh se qeveria e majtë e përfundoi.

Pjesë nga biseda    

Blendi Klosi: Në çdo fushë, në çdo aspekt kemi bërë kaq shumë, sa prodhimi brendshëm është 2.5 herë më shumë se në 2013, që eksportet në Shqipëri do të trefishoheshin nga 2013, që paga mesatare do të shkonte në 900 euro në administratën publike dhe po kaq për sektorin publik.
Nga 3 milionë turistë që ishin në vitin 2013 për të cilën mburrej Partia Demokratike të shkojë sot në 12 milionë turistë të huaj. Nuk e kishim menduar në vitin 2013 që të hapnim kaq shumë kapituj negociatash me BE-në dhe 2027 të jetë viti kur të mbyllen negociatat dhe 2030 të na gjejë në BE do të ishin të mundshëm të realizoheshin. Në çdo fushë ne mund të themi arritjet që kemi realizuar dhe pse e kërkojmë votën.
Nuk e kishim menduar në 2013 që vendi do të ishte një nyje kaq e rëndësishme energjetike të rajonit dhe të kthehej në një nyje më e fortë të interkonjeksionit, me Italinë, me Greqinë, me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Nuk e kishim menduar që do të bënim gjithë këtë infrastrukturë rrugore dhe Shqipëria do të kishte kaq shumë korridore si Rruga e Kombit, Rruga e Arbrit, Korridori Blu.

Andi Tela: Edhe Rrugën e Kombit e morët?

Blendi Klosi: Po të përfunduar, se e la Saliu vetëm rrugë aksidentesh. Pra është bërë aq shumë sa ne nuk e mendonim.

Ylli Rakipi: Rrugën e Kombit e bënë këta tani...

Blendi Klosi: E hapën këta, po e lanë pa paguar, pa mbaruar.

Andi Tela: E lanë pa tra.

Enton Abilekaj: E lanë pa tra këta. Tani vunë dy trarë te Rruga e Kombit.