AKTUALITET, 29 Gusht 2022, 20:45

Rama: Shqipëria, me buxhetin më të vogël se të Ronaldos

Rama: Shqipëria, me buxhetin më të vogël se të Ronaldos

Kryeministri Edi Rama tha nga Sllovenia se Shqipëria ka buxhetin më të vogël se i Cristiano Ronaldos, por u krenua se nuk ka rritur asnjë cent çmimin e energjisë, pavarësisht krizës.

“Ne ja kemi dalë të vazhdojmë kështu, duke mos e rritur çmimin e energjisë asnjë cent. Ne jemi 100% me energji të përtëritshme. Ne jemi të lumtur kur Zoti qan, sepse ka burime uji.

Ne po e mbulojmë këtë diferencë që është shumë i dhimbshëm për buxhetin shqiptar, që është edhe më i vogël se ai i Cristiano Ronaldos. Kemi inflacionin më të ulët tani në rajon” – tha Rama që u përball me një korrigjim të moderatorit të samitit të Bled.

“Analogjia me Cristiano Ronaldon për buxhetin, i cili tashmë rri në stol është pak e padrejtë…” – tha ai.

Rama tha se Shqipëria reagon ashpër ndaj Moskës sepse nuk ka nevojë për gazin rus.

“Shqipëria është shumë unike. Ne nuk kemi nevojë për gazin rus. Prandaj reagojmë fort ndaj Rusisë. Historia jonë ka qenë e tillë që ne nuk kemi asnjë lloj ndjesie kundrejt Rusisë.

Në perandoritë sovjetike, monumenti i Stalinit u hoq me hijeshi në vitet 70, ndërsa ne e mbajtën edhe pas rënies së murit të Berlinit. Prodhimi ynë i energjisë është në bazë ujore.

Kemi marrë një vendim kurajozë të mos prekur çmimet për familjarët dhe bizneset e vogla. Ne po e mbulojmë plotësisht këtë diferencë që është e rëndësishme për buxhetin shqiptar. Ne ia kemi dalë”, – tha Rama.