AKTUALITET, 6 Qershor 2024, 13:00

Argita Malltezi nga protesta para Parlamentit: Nuk ka asnjë shans ligjor që Berishës t’i hiqet mandati

Argita Malltezi nga protesta para Parlamentit: Nuk ka asnjë shans ligjor

Argita Malltezi, vajza e ish-kryeminisrit Sali Berisha i cili ndodhet në “arrest shtëpie” prej 5 muajsh, ka marrë pjesë në protestën thirrur nga opozita para Parlamentit.

Argita Malltezi u shpreh se nuk ka asnjë shans ligjor që Sali Berishës t’i hiqet mandati i deputetit pasi të kalojnë 6 muaj pa u paraqitur në sallën e Kuvendit.

Ajo u shpreh se mandati hiqet kur ligjvënësi mungon pa arsye, por shtoi se ish-kryeministri nuk është lejuar të marrë pjesë në seancat gjyqësore me vendim gjykate.

“Nuk ka asnjë shans ligjor që Sali Berishës që të hiqet mandati. Kushtetuta përcakton se cilat janë rastet e heqjes së mandatit ose mbarimit të mandatit  të deputetit, kur mundon 6 muaj pa arsye dhe kur ka një vendim gjykate të formës së prerë që vendos mbi themelin e çështjes.

Kemi një vendim për moslejimin e vajtjes në Parlament kur Sali Berisha nuk është nënë akuzë dhe as në fazë gjykimi, por është thjesht në fazë hetimi. Ai nuk është lejuar që të shkojë në Parlament”, tha Argita Malltezi.

Sa i përket protestës, Malltezi theksoi se do të ketë përshkallëzim në vijim si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit.

“Protesta ka qenë e veçantë, nervi opozitar ka qenë më evident, do të ketë përshkallëzim në vijim. Do të vijojë brenda dhe jashtë parlamentit për kauzat që opozita ka”, u shpreh vajza e ish-kryeministrit.