TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ndërsa anijet që kanë sjellë kontejnerët me 2100 tonë dhe që dyshohen mbetje toksike të nxjerra nga kompania “Kurum” te ajo “Sokolaj”, e më tej me destinacion Singaporin dhe Tajlandën, po presin të ankorohen në Portin e Durrësit, nuk mungojnë protestat nga qytetarët dhe shoqëria civile.
Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, reagoi sot nëpërmjet rrjetit social Facebook, me disa foto nga protesta e PD dhe qytetarëve, duke kujtuar se “mbetjet u kthyen te qeveria e plehrave, që i ka biznesin e preferuar”.
Ajo e cilëson si “operacioni mafioz ndërkombëtar, i cili u bë me bekimin e qeverisë së inceneratorëve”, e që sipas saj, “mori fund sot (28 Tetor), duke risjellë në Shqipëri dy anijet me mbetje toksike”.
“Udhëtimi i 102 kontejnerëve me mbetje zgjati më shumë se tre muaj, për të përfunduar aty ku nisi: në portin e Durrësit. Një shuplakë në fytyrën e qeverisë, falë alarmit të ngritur nga Rrjeti i Bazelit, sepse të gjitha institucionet e sigurisë së vendit mbyllën sytë me urdhër. Në përpjekje për të shpëtuar nga një skandal tjetër në zinxhirin e shumë të tillëve, dyshimet për manipulimin e testimit mbeten shqetësimi më i madh i qytetarëve”, shkruan Xhixho.
Më tej ajo thekson se Partia e Lirisë mbetet në krah të qytetarëve që protestuan dje (27 Tetor), duke kërkuar me forcë transparencë maksimale në testim dhe zbardhjen e gjithë skemës mafioze.
“Qeveria e mbetjeve dhe inceneratorëve nuk mund të fshihet më! Dy anijet e kthyera sot janë vetëm maja e ajsbergut. Projektligji i ri, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, është përpjekja kriminale e radhës për të shndërruar Shqipërinë në vend tranzit të mbetjeve toksike. Ne do të përdorim çdo mjet demokratik së bashku me mbështetjen e mijëra qytetarëve dhe shoqërisë civile, për të ndalur planin ogurzi të kësaj qeverie për ta kthyer Shqipërinë në kosh mbeturinash”, përfundon Xhixho.
