AKTUALITET, 17 Maj 2022, 19:15

Alibeaj për takimin: Diskutimi të jetë i hapur, ja pse e shtyva në 18 maj dhe nuk pranova sot, Doda dhe Mediu janë të mirëpritur

Alibeaj për takimin: Diskutimi të jetë i hapur, ja pse e shtyva

Pas Taulant Ballës edhe Alibeaj iu përgjigj interesit të medias, për atë që ndodhi në takimin mes tyre për çështjen e presidentit. 

“Kërkohej pjesëmarrja e domosdoshme e juaja. E pamë si ishte lëvizja e tyre dhe kërkova vetëm një gjë, çdo diskutim për çështjen e presidentit të bëhet me median sepse unë besoj se vetëm transparenca është ilaçi i mirë kundër çdo pazari.

Nesër në orën 10:00 jeni të ftuar për të parë diskutimin, për të parë qëndrimin që ne kemi mbajtur si grup parlamentar.

Platforma jonë i shërben interesit publik, pra të jetë një proces që t’ju shërbejë shqiptarëve, të përçojë interesin dëshirat e aspiratat e shqiptarëve”, tha deputeti Alibeaj.

A do të ketë një ftesë për Mediun dhe Dodën në këtë takim?

“Lidhur me çështjen e parë nuk varet nga unë, por nesër ajo sallë është e hapur për këdo që do të vijë dhe do të diskutojë qëndrimin e tonë. Edhe Mediu edhe Doda janë të lutur të vijnë”, tha Alibeaj. 

I keni 20 firmat e deputetëve?

“Kemi durimin që gjërat t’i diskutojmë hap pas hapi. E kuptoj shpejtësinë e Ballës, por Kushtetuta thotë tre raundet e para duhen me 84 vota. Ne kemi bërë propozimin tonë. Rregullat përpara pastaj emrat.

Kemi thënë që propozimin ta kemi ne, ta ketë opozita. Ta lemë të shohim. Rendja pas emrave bën procesin jo serioz. Nesër në sytë e publikut të shohim se cili është qëndirmi i palës tjetër. Jo më kot Kushtetuta kërkon 84 vota, ne e kemi bërë me rregulla të arsyetuara duke parë të gjithë sfondin politik dhe institucional"