AKTUALITET, 17 Maj 2022, 15:56

Caktohet trupa gjykuese që do të shqyrtojë kërkesën e ‘Rithemelimit’ që të mos pranohet ankimimi i Alibeajt

Caktohet trupa gjykuese që do të shqyrtojë kërkesën e

Në Gjykatën e Apelit u hodh këtë të martë, 17 maj, shorti për të caktuar gjyqtarin që do të shqyrtojë kërkesën e Rithemelimit, për të mos pranuar ankimimin e bërë nga kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj.

Nga hedhja e shortit, çështja i ra gjyqtares Elona Toro për shqyrtim.

Mësohet gjithashtu se, trupa gjykuese, përveç Elona Toros do të përbëhet edhe nga gjyqtare Edlira Petri dhe gjyqtar Genti Shala.

Pas përfundimit të Kuvendit të 11 Dhjetorit, Komisioni i Rithemelimit i dërgoi në gjykatë ndryshimet e miratuara në statutin e PD-së, ku ndër të tjera u vendos edhe shkarkimi i strukturave drejtuese të partisë. Gjyqtari Agron Zhukri vendosi t’i regjistrojë këto ndryshime duke njohur kështu Komisionin e Rithemelimit si organin drejtues të partisë.

Disa ditë më pas, Enkelejd Alibeaj e ankimoi vendimin e gjyqtarit Zhukri në Apel duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të shkallës së parë dhe njohjen e statutit të miratuar në Kuvendin e 18 Dhjetorit ku ndër të tjera përjashtohet edhe Berisha nga partia përmes një neni të posaçëm që përcakton largimin nga PD të çdo personi të shpallur “non grata”.

Tashmë gjyqtarja Elona Toro do të duhet të vendosë se kujt i takon drejtimi i PD-së, nëse do të mbajë në fuqi vendimin e gjyqtarit Zhukri që njeh Komisionin e Rithemelimit apo do ta kthejë PD-në në gjendjen e mëparshme duke njohur strukturat e vjetra drejtuese.