TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Teksa mori pjesë në prezantimin e drejtuesve të rinj të departamentit “Brain Gain” në Partinë Demokratike, Sali Berisha dëgjoi mendimet dhe sugjerimet e të rinjve prezent në takim, në lidhje me nismat, idetë dhe projektet për forcimin e strukturave.
Në fund ai mbajti edhe një fjalim përmbyllës, ku dha disa përgjigje duke iu referuar situatës politike, të rendit dhe sigurisë, shpopullimit, varfërisë dhe veçanërisht korrupsionit qeveritar, ku nuk kurseu as kryeministrin Edi Rama.
Ai tha se dikur Rama bënte thirrje që të arrestoheshin liderët e opozitës, kurse sot flet për Republike Prokurorësh, duke iu referuar Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
“Partitë Popullore Evropiane para zgjedhjeve, një javë para zgjedhjeve, e thanë në rezolutë se Edi Rama përdor pushtetin e tij autoritar dhe me metoda diktatoriale. Deri dje bënte thirrje të arrestohet ky dhe ai. Kurse sot ka shpallur Republikën e Prokurorëve”, u shpreh ai.
Ndërsa nxiti të rinjtë për më shumë përfshirje dhe krijim të hapësirave në selinë blu, ai nënvizoi se është koha për të “larguar një herë e mirë toksinat dhe mbeturinat e komunizmit”, duke kujtuar edhe të kaluarën e familjes së kryeministrit dhe trashëgiminë politike që mori.
“PD e ka jetike betejën e largimit të toksinave dhe mbeturinave të komunizmit. Njëlloj janë, pasardhës i atij që dikur firmoste të varej në litar Havzi Nela, kurse ky sot bën thirrje “të arrestohen liderët e opozitës”, u shpreh kreu i selisë blu.
Kryedemokrati vuri theksin edhe tek “hemorragjia e trurit” në Shqipëri, familjeve dhe të rinjve, në një shpopullim pothuajse si tre dekada më parë.
“Vetëm këto 10 vite janë larguar nga Shqipëria vetëm në hapësirën Evropiane, 1,1 milionë shqiptarë. Nuk them se jemi si në 1990, por jemi sërish si komb në një vështirësi të paprecedentë. Duhet të jemi parti e një kombi dhe nuk mund të jemi nëse mbi gjysma e shqiptarëve janë jashtë. Duhet të jemi një parti e të gjithë bashkëkombasve, të jemi “Brain Gain”, vijoi ai.
Në fund Berisha e mbylli me deklarimin e projektit për të sjellë sa më shumë shqiptarë të shkolluar nga jashtë vendit dhe për reformimin e administratës.
“Edhe në 2005 kur erdhëm në pushtet, vetëm 1,5% e administratës ishin të shkolluar jashtë dhe ne përcaktuam një platformë me qindra e mijëra vajza e djem të shkolluar jashtë. Ku arritëm? Tek 22% e punonjësve të administratës. Bëmë vlerësimin më të madh të mundshëm, kurse tani me këtë shkretim të madh që kemi kjo është jetike”, përfundoi kryedemokrati, teksa uroi në fund edhe festat e fundvitit për të pranishmit dhe të gjithë shqiptarët.