AKTUALITET, 29 Dhjetor 2025, 12:54

Pista e re/ Atentat me tritol në Shkodër? Marrin tjetër kthesë hetimet, vëllai i viktimës kishte vrarë një person 20 vite më parë

Pista e re/ Atentat me tritol në Shkodër? Marrin tjetër

Detaje të reja dalin lidhur me shpërthimin e ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku humbi jetën një shtetas 69-vjeçar.

Fillimisht u raportua se Hysni Ymeri humbi jetën si pasojë e shpërthimit të kabinës elektrike, por burime nga grupi hetimor konfirmojë për gazetarin Bepin Kolvata, se kemi të bëjmë me një atentat me tritol.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka mohuar zyrtarisht se ka pasur shpërthim të kabinës apo të panelit të matësave elektrikë, duke përjashtuar një defekt në rrjetin e energjisë.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila dyshohet se lidhet me një konflikt të vjetër për gjakmarrje.

Sipas burimeve paraprake, vëllai i viktimës dyshohet se rreth 20 vite më parë ka vrarë një shtetas, çka mund të ketë lidhje me atentatin e dyshuar.

Hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve dhe për përcaktimin e plotë të rrethanave të shpërthimit, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim përfundimtar mbi motivet e ngjarjes.