AKTUALITET, 30 Dhjetor 2025, 13:20

“Agasi, kryeministri hije”/ Berisha për AKSHI-n: Afera më e zezë! Kjo dosje rrezikon të mos ketë një hetim të plotë, po bëhen presione!

“Agasi, kryeministri hije”/ Berisha për AKSHI-n: Afera më

Kryedemokrati Sali Berisha tha se skandali dhe dosja e AKSHI-t është më e paprecedenta, më e zeza dhe shumëdimensionalja, shumë herë më e madhe nga ato të djegësve dhe tenderëve të rrugëve.

Ai akuzoi edhe familjen e kryeministrit Edi Rama, gruan e tij dhe baxhanakun, si të implikuar direkt në përcaktimin dhe përfitimin e tenderëve te AKSH-i, ndërsa denoncoi se po bëheshin presione dhe kërcënime të vazhdueshme që të mos hetohej çështja dhe hetimi të ishte i paplotë.

“Por skandali i vërtetë është AKSHI i familjes, dosja më e zezë. Deri një vit më parë fituesi i tenderëve ishte Armand Frangu, baxhanaku i Edi Ramës dhe kunati i Linda Ramës. Pas ndërhyrjes së bashkëshortes së kryeministrit, u ndërhy me “presto nome” dhe 93% e këtyre tenderëve atje fitoheshin nga 2 kompani dhe që të dyja kompani të Frangut. Kompania e Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit, kompani që siguruan pasuri përallore pa bërë asgjë, asnjë punë. Vjedhje për llogari të Ramës dhe Frangut. Afera e AKSHI-t është më shumëdimensionalja që ka shpërthyer ndonjëherë”, tha Berisha mes të tjerash për këtë çështje.

Ai hodhi edhe akuza ndaj kreut të qeverisë se ka bllokuar kadastrat në vend, teksa nuk lejon as kontrolle dhe as audite në to, pasi abuzimet me pronat e shqiptarëve janë masive.

“Ka bllokuar kadastrat në vend dhe nuk lejon kontrollin e tyre, bën presion dhe kërcënon. Me Rrumin e tij, Ergys Agasin, bën presione dhe kërcënon duke zaptuar pronat e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar”, shtoi ai.

Berisha e cilësoi Ergys Agasin, biznesmenin në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t, si “kryeministrin hije” që vepronte për llogari të Ramës si “presto nome” i familjes.

“Zyra e Ergys Agasit ishte zyra e kryeministrit në hije. AKSHI rrezikon të mos ketë hetim të plotë. Vitin tjetër uroj që të rrëzojmë këtë regjim bashkë me shqiptarët, një nga regjimet më të egra të Evropës”, akuzoi ai.

Fjala e Berishës për çështjen e AKSHI-t:

“Aferat janë të panumërta të këtij viti, por afera më e zezë e të gjitha të zezave është AKSHI i familjes Rama. Është AKSHI i kësaj familje, dhe duhet të mësojnë shqiptarët një të vërtetë këtu. Gjer dy vite më parë, fituesi i të gjitha tenderave de facto ishte Armand Frangu, kunati i Linda Ramës, baxhanaku i Edi Ramës.

Por pas zbulimit, pas regjistrimit, pas vërtetimit të ndërhyrjes së bashkëshortes së kryeministrit, u veprua me prestanome dhe 93 përqind të të gjitha tenderave të kopshtit privat të Edi Ramës fitoheshin nga dy kompani, të dyja në fakt kompani të Armand Frangut. Kompania e Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit.

Kompani të cilat siguruan fitime përrallore pa bërë, njëlloj si në djegësin e Tiranës, asnjë tullë, asnjë veprim. A mund të imagjinoni ju një kompani që regjistrohet me 1 mijë euro dhe përfundon pas 4 muajsh me dhjetëra milionë euro në kontot e saj bankare duke pasur si shpenzim të vetëm rrogat e dy punonjësve?

Asnjë import, asnjë blerje, asnjë shitje, asnjë aktivitet përveçse vjedhjes për llogari të Edi Ramës dhe Armand Frangut. Edi Rama përsëri në një akt in ekstremis, u tha shqiptarëve se unë kur vjedh, nuk vjedh, por përdor, marr në përdorim. Se kur foli Lubinë bis të AKSHI-t, ai tha se ajo akuzohet se ka përdorur paratë.

E kuptoni ju?

Në të vërtetë, Edi Rama me Lindën e tij të AKSHI-t dhe të Surrelit, kanë përvetësuar qindra e qindra milionë euro nëpërmjet prestanomeve, banditëve si Ergys Agasi, Ermal Beqiri, etj.”.