TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama komentoi sot gjatë konferencës për median edhe çështjen e dosjes së vartëses së tij, zv/kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur dhe me masë sigurie shtrënguese nga SPAK e GJKKO për abuzime me tenderimet e Tunelit të Llogarasë në Vlorë dhe Unazës së Madhe në Tiranë.
Ai e mori përsëri në mbrojtje ministren për të cilën po kërkohet edhe heqja e imunitetit në Parlament nga organi i akuzës, duke thënë se SPAK duhet të japë prova dhe argumente konkrete pse personi i dyshuar prish provat apo intimidon dëshmitarët.
“Çfarë është kjo që në një vend që do të bëhet anëtar i BE-së individi të mos ketë të drejtën e një gjyqi. Çfarë thotë KE? Se në Shqipëri vendosen masa sigurimi ekstreme dhe pa arsyetim se pse duhen vendosur. Dhe ka shprehje se ekziston rreziku për prishje provash apo arratisje, këto janë kot. Duhet argumentuar çdo masë. Duhet të thuash konkretisht për atë, çfarë provash e dyshimesh ke për të, jo kot intimidon vartësit. Duhet ta argumentosh çdo dyshim që ti ke”, tha Rama mes të tjerash, jo duke e përmendur emrin e zyrtares së lartë, por duke e nënkuptuar në dinamikën e përgjigjes për pyetjen që iu bë nga gazetarët.
Ai kritikoi drejtësinë në mënyrën se si i ndjek penalisht të dyshuarit me masa tejet shtrënguese, që i ka vënë në dukje sipas tij edhe Këshilli i Evropës. Lidhur me komentin më sipër, ai shtoi se në Shqipëri ka të dyshuar të dënuar pa u dënuar.
“Kjo është ajo që bëjnë penxheret mediatike dhe politike. Në Shqipëri ka të dënuar pa u dënuar qysh në momentin kur dyshohen. Shqipëria e ka kaluar një herë këtë traumë. Çfarë tregon kjo? Që probabiliteti që ti të gjendesh në burg si i dyshuar, është më i lartë se të gjendesh atje si i dënuar. Këshilli i Evropës ka bërë një raport të tërë, dokument i tërë për këtë gjë”, tha kreu i qeverisë.
Më tej shefi i ekzekutivit nënvizoi se këta njerëz kalojnë një kalvar të gjatë pasi bëhen të dënuar pa u bërë gjyqi.
“Kalojnë një kalvar të gjatë, s’po flas për ato të penxhereve, nuk merrem fare me to, por them për ata që kalojnë të gjitha kalvaret, në fund ose u kalojnë afatet e paraburgimit, ose dalin të pafajshëm”, u shpreh Rama.
Duke folur për sistemin e drejtësisë, kryeministri Edi Rama u ndal në konferencën e fundvitit edhe në numrin e lartë të të paraburgosurve. Rama tha se Shqipëria është vendi më skandaloz i Këshillit të Europës. Ndalur në shifra, Rama tha se aktualisht në burgjet shqiptare ndodhen 4 492 persona, ndërsa vetëm 1 895 prej tyre janë të dënuar.
“Numri i njerëzve që gjenden në burg në Shqipëri pa qenë akoma të dënuar, të cilët në kuptimin e Kushtetutës dhe Konventës europiane për të drejtat e njeriut, është më i madh se numri i atyre që janë në burg të dënuar. Këta janë të pafajshëm sipas kushte dhje kon, por janë në burg. Ne kemi 4 mijë e 492 qytetarë në burgjet shqiptare, a e besoni dot që vetëm 1895 janë të dënuar. Çfarë është kjo? Nuk po hy tek tjetra, jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve, jemi vetëm me Rusinë mbrapa, por Rusia u përjashtua.
Kemi 1895 të dënuar dhe 4992 të burgosur, në Shqipëri falë edhe tenxhereve politike e mediatike nuk ka ta pafajshëm. Por ka të dënuar, para se të dënohen që në momentin që dyshohen, e kuptoni çfarë është kjo, për një vend që e ka kaluar njëherë këtë traumë. Kjo shifër tregon që në Shqipëri, probabiliteti që ti të gjendesh në burg si i dënuar ëhstë më i lartë se probabiliteti që ti të shkosh në burg si fajtor. Nuk është kap e fut njerëz brenda dhe shohim nesër jeni apo s’jeni fajtor. Nuk po flasim për ata që janë në kalvarin e tenxhereve, njerëz të zakonshëm të këtij vendi kalojnë në atë kalavar, ose nxirren se iu ikin afatet e paraburgimit, ose dalin të pafajshëm. Ca ngelet, ca është kjo histori, si qenka kjo që në një vend në mes të europës, individi mos të ketë të drejtën e një gjyqi”, tha Rama.