TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Socialistët çelën sot pasdite fushatën për zgjedhjet lokale të 14 majit në Sheshin Skënderbej, përmes një ceremonie të veçantë ku u mbollën 61 fidanë. Nga kryeministri Rama, kandidatët dhe drejtuesit politikë në qarqe, për të ilustruar sloganin e partisë në fushatë "Kurrë më mbrapa, vetëm përpara", me lopata fringo të reja në duar bënë gjestet simbolike dhe pastaj edhe i përjetësuan ato në fotografi të shumta.
Por fotot me pemë të nisjes së fushatës i tradhëtojnë dashnorët e betonit. Në sfond duken vetëm kulla, kulla, kulla. Ngado që të kthesh fokusin e aparatit pas fotos së Ramës, kryebashkiakëve të PS-së dhe drejtuesve politikë, dalin vetëm shumëkatëshet që kanë rrethuar sheshin “Skënderbej”, kanë mbytur Kullën e Sahatit, edhe pse Erion Veliaj tha dy javë më parë se kishte mbjellë pemën e 1 miliontë.
Pas afro 10 viteve në pushtet qendror dhe 8 viteve në drejtim të Tiranës, socialistët kanë mbjellë me sukses beton dhe sot ato 61 fidanë janë shumë pak për të besuar te motoja “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara".










