AKTUALITET, 14 Shkurt 2019, 10:33

Aksidenti me 14 viktima në Maqedoninë Veriore, Kuvendi i Shqipërisë 1 minutë heshtje

Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur 1 minutë heshtje në nderim të viktimave të tragjedisë në Maqedoni, ku si pasojë e një aksidenti vdiqën 14 persona dhe mbi 20 të tjerë u plagosën.

Në hapje të seancës plenare për ditën e sotme, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi kërkoi që deputetët e mazhorancës dhe opozitës të ngrihen në këmbë për të respektuar viktimat dhe të plagosurit.

Për shkak të tragjedisë së madhe që ndodhi dje në orët e pasdites në rrugën Shkup-Tetovë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme ka njoftuar se data 14 dhe 15 shkurt do të jetë ditë zie.

Aksidenti ka ndodhur në autostradën Shkup-Tetovë, në kilometrin e shtatë të saj teksa një autobus është përmbysur.