AKTUALITET, 18 July 2026, 22:12

Aksident i rëndë në Zvërnec, humb jetën gazetari Enrik Mehmeti pas përmbysjes së motomjetit

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar në zonën e Zvërnecit, pranë daljes së Dalanit. Viktimë e aksidentit ka mbetur gazetari 40-vjeçar, Enrik Mehmeti.

Gazetari ishte duke udhëtuar me një motomjet dhe mjeti ka dalë nga kontrolli duke u  përmbysur.

Si pasojë e aksidentit, 40-vjeçari ka pësuar dëmtime të shumta.

Menjëherë pas ngjarjes, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Burime paraprake bëjnë me dije se gazetari kishte pësuar dëmtime të rënda në kraharor dhe në organet jetësore.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota dhe shkaqet që çuan në aksidentin fatal.

Njoftimi i Policisë:

Vlorë / Informacion paraprak

Rreth orës 21:40, në zonën e Dajlanit, në Vlorë, në bregdet dhe jashtë zonës rrugore, ka ndodhur një ngjarje aksidentale me pasojë humbjen e jetës së shtetasit E. M., rreth 40 vjeç, banues në Vlorë (gazetar).

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, duke lëvizur me një motomjet me katër rrota, ai ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, i cili është përmbysur. Si pasojë e përmbysjes, drejtuesi i motomjetit, shtetasi E. M., ka pësuar dëmtime të rënda trupore.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. I dëmtuari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë.

Në motomjet ndodhej si pasagjer shtetasi K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta pa probleme për jetën.

Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja aksidentale ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale.