AKTUALITET, 18 July 2026, 17:32

Ish-drejtoresha e Postës së Durrësit lihet në burg, avokati: Vendim absurd, s'ka prova që ka marrë paratë

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtoreshën e filialit të Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, e akuzuar për përfshirje në vjedhjen e parave të pensioneve. Pas vendimit, ka reaguar avokati i saj mbrojtës, Ilia Ilia, i cili e ka cilësuar absurd vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke pretenduar se ndalimi i klientes së tij është bërë në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ekzistojnë prova që e lidhin atë me marrjen e parave.

"Nuk ka asnjë provë që ta implikojë Elisabeta Matajn në bashkëpunim kriminal për vjedhjen e asaj shume”, deklaroi avokati për mediat.

Sipas Ilisë, Mataj është emëruar në detyrën e drejtoreshës në tetor të vitit 2025 dhe, pas konstatimit të parregullsive në sistemin financiar të institucionit, ajo i ka raportuar ato me shkresa pranë Postës Shqiptare në Tiranë. Avokati tha se mbi bazën e këtyre raportimeve është kryer një auditim rreth njëmujor, ku janë konstatuar shkelje nga dy punonjëse të tjera, përkatësisht shefja e financës dhe arkëtarja.

“Nuk ka asnjë provë që i ka marrë Elisabeta Mataj. Akuza pretendon se ka tre sekuenca filmike ku shefja e financës i ka dërguar paratë në zyrën e Matajt”, u shpreh avokati. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa tre punonjëset e Postës së Durrësit akuzohen për shpërdorim detyre dhe përvetësim të parave të pensioneve.