AKTUALITET, 18 July 2026, 21:29

Mbi 700 mijë € u vodhën në Postën e Durrësit, në burg ish-drejtoresha Mataj! Prokurori: Dyshohet se luante bixhoz! Paratë futeshin me thasë në zyrën e saj

Gjykata e Durrësit la në masën e sigurisë "arrest në burg" ish-drejtoreshën e Postës Durrës, Elisabeta Mataj, ndërsa ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana u lanë në "arrest shtëpie". Ato akuzohen për veprën penale "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se kanë përvetësuar 69 milionë lekë ose mbi 700 mijë euro, të destinuara për pensionet në degët e Postës në Krujë dhe Shijak.

Prokurori Gazmend Frëngu deklaroi në seancë se Postës i mungojnë 69 milionë lekë, ose mbi 700 mijë euro, të cilat kanë dalë nga thesari por nuk kanë mbërritur kurrë në destinacion. Të treja punonjëset kanë dhënë deklarime kontradiktore. Arkëtarja ka deklaruar se paratë janë marrë nga ish-shefja e financës, Valbona Duni, ndërsa kjo e fundit pretendon se të gjitha paratë janë përvetësuar nga ish-drejtoresha Elisabeta Mataj. Kjo e fundit fajëson dy vartëset për mungesën e fondeve.

Prokurori bëri me dije se hetimet janë shtrirë edhe në aktivitetin e Elizabeta Matajt,  jashtë orarit të punës. Ajo rezulton se ka frekuentuar disa kazino në Tiranë gjatë muajve prill dhe maj, duke ngritur dyshime se paratë e vjedhura i ka lënë në bixhoz. Ndërsa avokati i kundërshtoi provat dhe masën e sigurisë.