AKTUALITET, 18 July 2026, 17:05

Atentati ndaj Thimjo Rubatit në Sarandë, gjendet motor i braktisur pranë detit, dyshohet se u përdor nga autorët

Policia e Sarandës pas kontrolleve në lagjen “Baba Rexhepi”, zonë kjo ku u drejtuan autorët pas atentatit ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, kanë gjetur një motorr të braktisur.

Motorri u gjet buzë detit, në një prej gjireve detare të zonës, pikërisht në zonën e quajtur “Kasollja”. Policia dyshon se motorri i përket autorëve të atentatit të mbrëmjes të së premtes. Ai nuk ka pasur shenja dëmtimi ose djegieje, ç’ka mund t’i shërbejë grupit hetimor të mbledhë material gjenetik për të identifikuar autorët. Fakti që motorri është gjetur buzë detit, e ka bërë grupin hetimor të dyshojë se autorët janë larguar me mjet lundrues ose të jenë fshehur në banesat e zonës periferike.

Atentati ndaj Thimjo Rubatit, sipas dyshimeve, ka qenë i planifikuar dhe organizatori ka shfrytëzuar qëllimisht ngjarjen e një dite më parë kur djali i tij u konfliktua me një oficer policie, me qëllim ngatërresën e pistës së hetimit. Madje ka informacione se autorwt e dinin që policia kishte sekuestruar një natë më parë DVR e kamerave të zonës duke e shfrytëzuar këtë fakt për të kryer ngjarjen në një zonë të pambuluar me kamera.

Deri në këto momente, burimet bëjnë me dije se dy janë pistat kryesore të hetimit, njëra është konflikt pronësie dhe tjetra konflikt personal për motive të tjera. Të vakëta janë për grupin hetimor motivet për larje hesapesh apo hakmarrje, pasi indiciet janë minimale.