AKTUALITET, 18 July 2026, 20:00

Dyshohen për lidhje me persona të botës së krimit, 10 oficerëve të Policisë u hiqet certifikata e sigurisë

Dhjetë oficerëve të Policisë së Shtetit, mes të cilëve gjashtë drejtues të nivelit të parë, u është hequr certifikata e sigurisë për shkak të dyshimeve se nuk plotësojnë kriteret e pastërtisë së figurës. Sipas indicieve, disa prej tyre dyshohet se kanë lidhje me persona të përfshirë në veprimtari kriminale.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila konfirmon se, gjatë një viti, edhe 19 oficerëve të tjerë, mes tyre 11 drejtues të nivelit të parë, u është refuzuar pajisja me certifikatën e sigurisë. Ndërkohë, katër komisarëve u është pezulluar përkohësisht kjo certifikatë deri në përfundim të proceseve të tyre gjyqësore.

Certifikata e sigurisë është dokumenti që u mundëson një kategorie të caktuar oficerësh të Policisë së Shtetit akses në informacionin e klasifikuar si “Sekret Shtetëror”. Gjatë procesit të aplikimit pranë Institucionit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, autoritetet përgjegjëse për verifikimin – Shërbimi Informativ Shtetëror, Agjencia e Inteligjencës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore – kanë konstatuar se këta oficerë nuk i plotësojnë kushtet për t’u pajisur me të drejtën e aksesit në informacionet e klasifikuara.

Në total, për certifikatën e sigurisë kanë aplikuar 1.487 oficerë policie. Nga këta, 33 persona, përfshirë edhe punonjës të rolit bazë si dhe një punonjës të Ministrisë së Brendshme, kanë marrë vlerësim negativ.

Vendimi u është përcjellë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, të cilat duhet të reflektojnë ndryshimet përkatëse në funksionet e tyre, duke u pamundësuar këtyre punonjësve aksesin në informacionet e klasifikuara.

Në kuadër të procesit të pastrimit të radhëve të Policisë së Shtetit, në vitin 2018 nisi edhe procesi i rivlerësimit kalimtar (vettingut). Pas ndryshimeve ligjore, fokusi është përqendruar te drejtuesit e policisë, ndaj ky proces është etiketuar shpesh si “kontrolli i të 300-ve”. Megjithatë, lëvizjet e shpeshta të drejtuesve në departamente, drejtori vendore dhe komisariate kanë sjellë ngadalësim të procesit të rivlerësimit.

Për shkak të ndryshimeve të fundit, vettingu është ndërprerë për drejtuesit që janë larguar nga detyra, ndërsa vijon për ata që janë emëruar në pozicione drejtuese.

Zyrtarisht, AMP konfirmoi se gjatë gjashtë muajve të fundit janë zhvilluar 26 kontrolle të trefishta. Prej tyre, 15 raste janë konfirmuar, ndërsa për 11 drejtues procesi është ndërprerë, pasi gjatë verifikimeve ata nuk ushtronin më funksione drejtuese.